S’ka më dhurata, Dinamo ndal Skënderbeun
Në dy sezonet e fundit sfidat mes Dinamos dhe Skënderbeut janë mbajtur mend për “dhuratat” e pafund të të parëve në drejtim të të dytëve. Por dje, në “Qemal Stafa”, Dinamo ka zhvilluar për herë të parë pas 5 përballjesh me korçarët një sfidë “të vërtetë” dhe, ndonëse me elementë të rinj dhe formacion urgjence, “Xhaxhi” ka arritur t’u marrë milionerëve të Duros një barazim, që përkon edhe me pikën e parë në kampionat. Tjetër provë zhgënjyese për bardhekuqtë që nuk arrinë dot të nënshtrojnë një skuadër ku veç Bekim Kulit e ndonjë tjetri, pjesa tjetër nuk është mësuar me përballje të nivelit të lartë.
Sfida nis ashtu siç mendohej. Kampionët janë në kërkim të golit të parë në këtë kampionat dhe Duro ka hedhur në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Në pamundësi për të rreshtuar nga fillimi kapitenin Shkëmbi për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e parë të sezonit kundër Tomorit, është Orges Shehi ai që do të udhëheqë të tijtë nga fusha me shiritin në krah. Aksionet e miqve janë të shpejta, por ndonëse situatat për gol nuk do të mungojnë, Daniel Xhafaj me shokë do ta kenë të pamundur për ta shtyrë topin në rrjetë. Nga kjo situatë përfiton Dinamo, që kësaj radhe nuk ka ndërmend të dorëzohet pa luftuar. Rastin e parë për shënim do ta ketë Bekim Kuli, që pas një predhe nga distance do ta detyrojë gardianin Shehi të bëjë një grushtim spektakolar. I riu Xhemalaj do të ketë një rast të artë për shënim, por kësaj radhe Shehi ka aleat shtyllën që nuk e lejon topin të shkojë në rrjetë. Dinamo duket se beson te mrekullia dhe Imami do të jetë një tjetër shpërdorues rasti, duke shpalosur edhe njëherë vlerat e Orges Shehit në dy momente. Skënderbeu duket se nuk u beson syve dhe mezi pret përfundimin e pjesës së parë. Por edhe fraksioni i dytë do të nisë si i pari. Sërish Kuli ka një top të mirë në këmbët e tij, por goli nuk do të vijë. Është minuta e 60-të dhe Dinamo dominon në lojë. Pas këtij momenti, do të jetë radha e korçarëve që do të kërkojnë të marrin kontrollin e lojës. Rasti i parë i rrezikshëm do të regjistrohet në minutën e 72-të, kur Muzaka, ndonëse i vetëm përballë Osmanit, nuk do të realizojë dot. Pak minuta më pas do të jetë i riu Kërçiku që do të gjajë drejt portës, por topi i dalë nga akrobacia e tij është qendror dhe nuk ka fuqinë e duhur. Më pas, loja do të zhvillohet kryesisht në mesfushë dhe mes faullave të shumtë, sidomos nga ana e bluve që kërkojnë të vonojnë lojën për të mos e lejuar pikën t’u ikë nga duart.
Superliga – Java II
Rezultatet
Të premten
Laçi – Bylis 2-2
Kamza – Vllaznia 1-0
Të shtunën
Kastrioti – Tirana 2-3
Shkumbini – Apolonia 2-0
Pogradeci – Tomori 1-0
Teuta – Flamurtari 1-0
Dje
Dinamo – Skënderbeu 0-0
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Teuta 2 2 0 0 2-0 6
2) Bylis 2 1 1 0 7-4 4
3) Kastrioti 2 1 0 1 6-3 3
4) Vllaznia 2 1 0 1 3-2 3
5) Tirana 2 1 0 1 3-3 3
6) Flamurtari 2 1 0 1 2-2 3
7) Apolonia 2 1 0 1 2-2 3
8) Kamza 2 1 0 1 2-2 3
9) Shkumbini 2 1 0 1 4-5 3
10) Pogradeci 2 1 0 1 1-4 3
11) Skënderbeu 2 0 2 0 0-0 2
12) Tomori 2 0 1 1 0-1 1
13) Dinamo 2 0 1 1 0-2 1
14) Laçi 2 0 1 1 3-5 1