Bajerni mendon kupen e Gjermanise
Në fokus është thuajse tërësisht finalja e Ligës së Kampionëve, një superndeshje që do të luhet në fushën e tij. Veçse, Bajernit nuk i lejohet që të mos mendojë edhe për një finale tjetër, edhe pse shumë më e vogël.
Këtë të shtunën rekordmenët e titujve të Gjermanisë do të zhvillojnë finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Dortmundit kampion në stadiumin “Olimpik” të Berlinit dhe padyshim që e duan këtë trofe.
Jo vetëm sepse skuadra bavareze ka një tërheqje prej magneti nga kupat, por edhe sepse me Dortmundin kanë një llogari të hapur. Trajneri i verdhezinjve, Jurgen Klop, është i vetmi që i ka shkaktuar Bajernit 4 humbje radhazi në kampionat, ndaj edhe krenaria e Bajernit është e plagosur.
Borusia fitoi titullin kampion në Gjermani për herë të dytë radhazi, ndonëse dështoi në Champions.
Ndërsa skuadra stërvitet, tifozët janë të pranishëm në kompleksin stërvitor dhe shprehin dëshirat dhe besimin e tyre. Njëri thotë me siguri se “ne do të fitojmë dhe do të luajmë siç duhet”. Një tjetër thekson se “mendoj se skuadra do të jetë e dyzuar, duke menduar edhe për Championsin, por mendoj se do të sforcohen vetëm në minutat e fundit”.
Trajneri Hajnkes e di sesi mendojnë tifozët, ndërsa do të lutet që gjatë kësaj finaleje të mos i dëmtohet ndonjë lojtar i rëndësishëm si Riberi apo Roben, pasi ndaj Çelsit në “Alianc Arena” ai do të ketë nevojë për maksimumin e potencialit të Bajernit të tij.