E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni poshtëron 4-0 Barcelonën, bavarezët thuajse në finale

Fitore, krenari dhe thuajse në finale. Kështu mund ta përkufizosh fitoren 4-0 të Bajernit të Mynihut ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të luajtur në “Allianz Arena” të Mynihut. Shumë pak veta e kishin menduar një fitore të tillë, por djemtë e drejtuar nga Jup Hejnkes e kanë dirigjuar më së miri ndeshjen, duke zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të Ligës së Kampioneve. Barcelona nuk mundej me rezultatin 4-0 që nga finalja e 1994-ës, ku Milani e poshtëronte. Ky rezultat përsëritet nga Bajerni, që tashmë thuajse është në finalen e Uemblit dhe sot do të ndjekë i qetë sfidën e parë Dortmund-Real Madrid. Bavarezët kanë dominuar takimin me raste, ndonëse në përqindjen e mbajtjes së topit Barcelona fiton gjithnjë. Ka shënuar në fillim Myler, pikërisht në minutën e 25-të. Me fillimin e pjesës së dytë ka dyfishuar shifrat Gomez dhe në fushë ka vetëm një skuadër, që është Bajern Mynih. Në minutën e 73-të, Roben trefishon shifrat, pas një veprimi të zgjuar të Mylerit, i cili para se të zëvendësohej, realizon edhe njëherë tjetër për Bajernin, duke i çuar shifrat në 4-0. Ndërsa Barcelona ka rrezikuar vetëm në 2 raste gjatë gjithë takimit. Bajerni mund të kishte shënuar edhe një gol tjetër në fund, por fati nuk e ka dashur. Minutat e fundit të ndeshjes janë administruar shumë mirë nga vendësit, teksa në fushë ka hyrë edhe kosovari Shaqiri. Ndeshja e kthimit, siç duket, do të jetë sa për statistikë, sepse një 4-0 është shumë e vështirë ta përmbysësh, aq më tepër që rikthehet edhe Manxukiç, një nga lojtarët më në formë të Bajernit. Festa tashmë ka nisur për Bajernin, ndërsa duket se cikli i Mesit & Co tashmë është drejt fundit pas kësaj humbje dramatike për Barcelonën.

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›