E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita Botërore e Librit, MTKRS dhuron libra në biblioteka

TIRANË- Në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhuroi një fond të konsiderueshëm nga botimet e financuara prej saj, disa prej bibliotekave në vend.

MTKRS, në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, organizuan sot një veprimtari mbi librin dhe rolin e tij në shoqërinë e sotme, ku ministri Visar Zhiti tha se libri është kujtesë e botës, grumbullim përvoje e botës, vegim dhe ëndërr, shpirt i grumbulluar i botës, thënë shkurt, libri është vazhdim i njeriut.

"Është libri që na mbledh, pikëtakim ky i kohëve dhe brezave, i të shkuarës me të ardhmen, libri në vetvete ka vetëm të tashme, çastin e leximit, të shndërruar në përjetësi, teksa tani na jep mundësinë të kremtojmë e të shkëmbejmë mendime, pikëpamje e emocione”, tha Zhiti.

Bibliotekat ku u dhuruan libra janë, ajo e Qytetit Studenti, Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, bibliotekat publike Lushnje, Shkodër, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, Fier, ajo e Muzeut Historik Kombëtar, e ambasadave dhe burgjeve, ku libri duhet të jetë më i rëndësishëm se kyçet.

Ndërmjet të tjerave, përveç aspektit festiv, gjatë këtij takimi u diskutua në lidhje me rritjen e vëmendjes për lexim dhe për probleme të piraterisë në botimet shqiptare.

“Dita Botërore e Librit dhe e të drejtave të autorit” kremtohet në çdo 23 prill, që kur UNESCO mori këtë vendim në Konferencën e saj të Përgjithshme, mbledhur në Paris 1995, me qëllim që të nxisë më tej dhe të vlerësojë lumturinë që të jep leximi, të vlerësojë punën e autorëve në progresin shoqëror e kulturor të njerëzimit.

U zgjodh 23 prilli se në këtë ditë të viti 1616 vdiqën, ose më saktë filluan pavdekësinë, tre shkrimtarë fondamentalë, Servantesi (1547-1616), Shekspiri (1564-1616) dhe Inca Garcilaso de la Vega (1539-1616). Por në këtë ditë edhe ka lindur Shekspiri, kështu besohet, edhe Moris Dryon, Nabokov, Valejo, nobelisti Llaksnes.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›