Galiani: Champions është historia e Milanit
MILANO- Milani ka një ndeshje shumë të rëndësishme të martën, ku do të përballet në Zvicër me Zyrihun, për të siguruar një vend në turin tjetër të Champions League. Kuqezinjtë janë mundur 1-0 në takimin e zhvilluar dy muaj më parë, por tashmë forma e tyre është komplet tjetër. Milani nuk njeh humbje prej 10 ndeshjesh në total, ndërkohë që në Serinë A mban vendin e dytë, vetëm 4 pikë larg Interit kryesues. “Kampionati është i rëndësishëm, por Champions League është historia jonë”, ka deklaruar administratori Adriano Galiani. Ai ka kërkuar që Milani të fitojë vetë në fushë, për të mos qëndruar me mendjen në Marsejë, ku francezët e Deshamp përballen me Realin e Madridit. “Tani Milani luan më mirë, kështu që nuk mund të qëndrojmë me zemër të ngrirë, duke pritur që Marseja të mos fitojë. Është e qartë se nëse francezët nuk fitojnë, neve na mjafton ço lloj rezultati në Zvicër, por duhet të mbështetemi te forca jonë”, tha Galiani. Milani do ketë të gatshëm edhe Ronaldinjon në këtë ndeshje, pavarësisht dëmtimit që pësoi ai në ndeshjen me Sampdorian ditën e shtunë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)