Protestat, ndërpritet ndeshja në Greqi
ATHINE- Gazi lotsjellës i përdorur nga policia jashtë stadiumit Olimpik të Athinës, ku ishin duke u zhvilluar protesta të ashpra, ka bërë që ndeshja mes Panathinaikosit dhe Atromitosit të ndërpritej për 25 minuta. Dy gola nga mesfushori Kostas Kacuranis i dhanë avantazhin e dyfishtë të gjelbërve të Athinës, ndërsa miqtë shkurtuan diferencën në 2-1 në fund të pjesës së parë. Vetëm 8 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, policia urdhëroi dy skuadrat që të braktisnin fushën e lojës. Uniformat blu jashtë dyerve të stadiumit kishin përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ç’ka ndikoi edhe në situatën në fushë. Futbollistët qëndruan për 25 minuta në dhomat e zhveshjes, në pritje të qetësimit të situatës. Në fakt, jashtë stadiumit është zhvilluar një betejë e vërtetë mes të rinjve që hidhnin molotov dhe policisë që përdori edhe gazin lotsjellës për t’i shpërndarë. Protestat në Greqi kanë nisur që në muajin mars, pasi policia vrau një adoleshent në një lagje të Athinës. Ato u ndërprenë për disa muaj, por tashmë kanë rinisur.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)