E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajko: “Po të humbiste Kombëtarja ime, do të më pushkatonin”

Dash Frashëri
Është tërë mllef. E ka të grumbulluar prej kohësh. Është i ashpër ndaj lojtarëve të Kombëtares. Por edhe ndaj drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Është kundër sistemit me të cilin drejtohet futbolli në Shqipëri. Neptun Bajko, trajneri i 14-të në historinë e Kombëtares (07.09.1994-09.10.1996) dhe tekniku që e modernizoi atë dhe njeriu që arriti të siguronte për herë të parë shpërblim për lojtarët nga qeveria "Meksi", ndihet i zhgënjyer me humbjen me Bjellorusinë, por pranon edhe faktin se kundërshtarët luajtën më mirë se ne. "DO TË PUSHKATOHESHA" - "Nëse do të humbisja unë do të pushkatohesha". Kjo është e para që thotë ai gjatë intervistës për "Albania"-n. Në deklarimet e pakta të tij, shumicën në këmbë, edhe pse kemi qenë të ulur në një nga kafenetë pranë hotel Sheraton, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit kujton jo pak momente të vështira nga karriera e tij si numri 1 i përfaqësueses. LOTËT ME BULLGARINË – Shqipëria barazoi me Bullgarinë (1-1) dhe Bajko ka mendimin e tij. "Bullgaria, për mendimin tim, luajti më keq se Bjellorusia dhe se në atë ndeshje ajo duhet të ishte e shkatërruar, ashtu sic ndodhi me ne. Cudi si ka dalë 1-1!". Trajneri kujton edhe një detaj të tijin me një nga ndeshjet e tij për Euro 1996, kur barazoi në Tiranë 1-1 me Bullgarinë, më 6 shtator 1995 (gola të Rakllit në të 10' dhe Stojckovit në të 8'): "Unë kam qarë kur kam barazuar me Bullgarinë para 11 viteve, kam qarë nga sedra dhe jo nga faji. Burri qan për sedër dhe krenari. Kisha ndërtuar një ekip shumë të mirë dhe morëm një rezultat shumë të mirë. Lojtarët nuk luajtën me shpirt, nuk dhanë më të mirën e tyre". ARMIK I TË HUAJVE - Bajko mbetet një nga armiqtë e trajnerëve të huaj, të atyre që kanë drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë: italianit Dosena, gjermanit Brigel dhe tani kroatit Baric: "Njëqind herë më mirë do të ishte një trajner shqiptar, dyqind herë, ose më mirë dyqind mijë herë, aq euro sa i merr Federatës Oto Barici", - thotë gjithë seriozitet ai. FAJIN E KA SISTEMI – "Kombëtarja jonë, sipas Bajkos, ka nevojë që të reformohet që në themel dhe këtë duhet ta fillojnë që te sistemi i futbollit e deri te drejtuesit". Fajin kryesor ish-trajneri Bajko, për humbjen dhe moszhvillimin e futbollit në Shqipëri, e hedh te sistemi i drejtimit të futbollit në vend. "Kur futbollin e sundojnë dhe e drejtojnë të paaftët, nuk mund të ketë zhvillim", - thekson ai. "Futbolli vuan nga mungesa e profesionalizmit dhe e menaxhimit të drejtuesve të aftë. Sistemi futbollistik në Shqipëri tashmë nuk drejtohet prej kohësh me profesionalizëm dhe me rregulla të vecanta që parashikon kjo lojë. Futbolli ka marrë fund në Shqipëri", - këmbëngul ai. BJELLORUSËT, MË TË MIRË – Kush ishte shkaku që humbi Kombëtarja jonë? A ishte terreni një faktor në humbjen e Kombëtares ndaj Bjellorusisë? Bajko pranon ndikimin e terrenit të keq. "Terreni është një pjesë e faktorit humbës apo favorizues, por është një pjesë e lojës e barabartë për të dyja skuadrat dhe fiton ai që e përdor më mirë këtë faktor në lojë. Skuadra jonë dështoi totalisht në lojë dhe për këtë nuk mund të fajësohet vetëm terreni, ka shumë arsye pse ekipi dështoi kaq keq". Trajneri i njohur pranon edhe supermacinë e kundërshtarit. "Bjellorusët e qarkulluan më mirë topin dhe nuk u zhytën në baltë si lojtarët tanë. Ata nuk e mbajtën topin, ndërsa tanët e mbanin shumë topin në terren. Duhej një qarkullim i shpejtë i topit. Gjatë gjithë ndeshjes kishte vetëm dy pasime të sakta dhe këto u shndërruan në gola. Skuadra caloi në pasimet e sakta dhe në qarkullimin e topit. JO REVOLUCION "Në ekipin tonë nuk ka nevojë as për revolucione e për asgjë tjetër, sepse nuk kemi as kushte, as futbollistë e as drejtues. Me kë ta bësh revolucionin dhe për kë? Kur s'ka drejtues të aftë dhe të përshtatshëm për futbollin, asgjë nuk ka vlerë" A U SHIT NDESHJA? "Nuk është cudi që edhe të ketë ndodhur. Këtu në Shqipëri besohet ajo që mund të jetë edhe më e pavërteta më e madhe dhe nuk besohet edhe fakti më i besueshëm. Hajde e merre vesh se c'ndodh këtu. Këtu besohet dhe ka vend për gjithcka" PËRSE HUMBËM? "Ka disa faktorë që mund të ndikojnë në këtë zhgënjim. Ekipi humbi nga loja aspak kualitative dhe orientuese e ekipit. Futbollistët donin të tregonin aftësitë e tyre dhe nuk menduan për lojën në grup", - thotë ish-trajneri i Partizanit. "Ekipi nuk e qarkulloi topin aspak dhe pasimet afektive munguan gjatë tërë takimit. Ndeshja me bjellorusët u luajt gjatë gjithë takimit pa shpirt gare dhe nënvleftësim. Loja e dobët dhe zhgënjimi që lojtarët e Kombëtares u paraqitën në këtë ndeshje sipas ish-trajnerit të Kombëtares, lë shumë hije dyshimi, edhe pse nuk dëshiron ta besojë apo ta mohojë atë për të cilën flitet se ndeshja u shit. Një trajner shqiptar do ta drejtonte shumë herë më mirë Kombëtaren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›