Rumani-Shqipëri, mungojnë Cana e Dallku

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë dy mungesa shumë të rëndësishme në ndeshjen e 21 nëntorit në Ruamani. Në ndeshjen e fundit Eliminatore për Euro 2008 ekipit përfaqësues do t'i mungojnë Lorik Cana e Armend Dallku për dënime kartonësh. Sektori i Garave në UEFA, me anë të një faksi, ka njoftuar zyrtarisht FSHF-në se për ndeshjen e fundit të Eleminatoreve të Euro 2008 Rumani-Shqipëri, për skuadrën shqiptare, janë të pezulluar dy lojtarë, Lorik Cana dhe Armend Dallku. Për mesfushorin e skuadrës kombëtare Lorik Cana, UEFA, në bazë të rregullores së aktivitetit, e ka pezulluar me një ndeshje, pasi ai ka plotësuar numrin 4 të kartonave të verdhë për këtë kompeticion të Euro 2008. Në bazë të rregullores, një lojtar që merr 4 kartona të verdhë, është i pezulluar për ndeshjen e ardhshme për Eleminatoret e Euro 2008. Lorik Cana ka pasur një karton të verdhë të mbartur në ndeshjen Bullgari-Shqipëri, zhvilluar më datë 28.03.2007 dhe me kartonin e verdhë të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë ai është automatikisht i pezulluar për një ndeshje. Sipas rregullores, lojtari Armend Dallku është i pezulluar, pasi ka marrë kartonin e dytë të verdhë pas atij të marrë në ndeshjen Shqipëri-Bullgari, e zhvilluar më datë 18.10.2007. Këto dy mungesa janë një shqetësim shumë i madh për ekipin tonë përfaqësues në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për të zënë vendin e katërt në grupin G. Ndeshja e parë mes dy kombëtareve, e luajtur në Tiranë, ka përfunduar 2-0 në favor të Rumunëve, të cilët e kanë siguruar kualifkimin në Euro 2008. Të dy ekipet në këtë ndeshje do të luftojnë për të marrë një fitore. Shqipëria për të arritur në vendin e katër dhe Rumania për të rikthyer qetësinë pas humbjes me Bullgarinë para tri ditëve. Në mungesë të këtyre dy lojtarëve, trajneri i komanduar Kovacic ka shumë mundësi që të aktivizojë lojtarët e rinj, si Lila apo Hyka, të thirrur në kombëtare, të cilët shihen si elemente shumë premtues për ekipin.
EURO 2008
RUMANI-SHQIPERI
21.11.2007 ORA 17:00
Stadiumi "National-Lia Manoliu" Bukuresht.
Arbitrat e ndeshjes:
Arbitër Kryesor
Edo Trivkovic (Kroaci)
Ndihmws: Novosel, Dujela.
Arbitër i katërt
Drazenko Kovacic (Kro.)
Delegati
Ellert Schram (Lihteshtein)
Vëzhguesi
Roland Beck (Islandë)
Grupi G
21 nëntor
Bjellorusi-Holandë
Rumani-Shqipëri
Slloveni-Bullgari
Ekipet Ndsh.Pikë
Rumania 11 26
Holanda 11 26
Bullgaria 11 22
Shqipëria 11 11
Sllovenia 11 11
Bjellorusia 11 10
Luksemburgu 12 3
Të kualifikuar: Rumania dhe Holanda