E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajram Curri, pallati gjysëm i rrënuar, rrezik për banesat përreth

Një pallat gjysëm i rrënuar në qendër të qytetit të Bajram Currit, po rrezikon seriozisht jetën e banorëve pasi në të kanë mbetur vetëm muret mbajtës. Pallati ku banonte ish deputeti i PD, Azgan Haklaj, u rrënua pas minosjes së tij në vitin 2001. 

BAJRAM CURRI- Në qendër të qytetit të Bajram Currit, banorët janë të rrezikuar nga një pallat i cili ka mbetur relikt kujtese e ngjarjes së 31 tetorit 2001, kur u hodh në erë pas mirosjes së tij me qëllim eliminimin e ish deputetit demokrat Azgan Haklaj, i cili ishte banor i këtij pallati.

Një 25 vjecare mbeti e vdekur ndërsa 3 persona të tjerë u plagosën rëndë në atë kohë. Specialistët e konsideruan të rrezikshëm qëndrimin në pallat dhe banorët u evakuan. Sot pas pothuajse tetë vitesh, pallati pesë katesh në qendër të Bajram Currit, nuk ka gjë tjetër përvec mureve mbajtës, ndërsa rreziku i shembjes është evident.

Qytetarë të shumtë , gjatë këtyre viteve kanë marrë tullat dhe hekurin e mureve , bashkë mne hekurin e trarëve mbajtës, duke e kthyer pallatin në një shpellë që ka vetëm muret anësore, dhe pritet të shembet nga casti në cast. Rreth tij janë dhjetra banesa si dhe rruga kryesore e lagjes. Për më tepër pallati është kthyer në një shesh lojrash për fëmijët.

Bashkia thotë se nuk ka fonde për shembjen e tij, ndërsa ka mbushur muret me mbishkrimin “ Kujdes, rrezik shembje”.
(e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›