BSH lancon Indeksin e Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit
TIRANE- Guverantori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do të lançojë sot Indeksin e Besimit të Konsumatorit dhe Indeksin e Besimit të Biznesit, të cilat publikohen për herë të parë nga institucioni mbikëqyrës bankar.
Indekset e besimit janë anketime që Banka e Shqipërisë u drejton agjentëve të ndryshëm ekonomikë të vendit, ku përfshihen biznese të sektorëve të prodhimit, të ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe konsumatorëve. Këto indekse i ofrojnë Bankës Qendrore informacion mbi ecurinë e çmimeve, të konsumit, të të ardhurave, të prodhimit, të punësimit, të investimeve e të shumë treguesve të tjerë, të cilët ndihmojnë në vendimmarrjen e politikës monetare.
Gjatë konferencës për shtyp, pritet që guvernatori Fullani të shprehet edhe lidhur me krizën ekonomike globale dhe efektet e saj në ekonominë tonë, si dhe me kërkesën e Bankës së Shqipërisë për të rritur kufirin minimal të sigurimit të depozitave nga 7 milionë lekë të vjetra që është aktualisht, në 25 milionë lekë.
(e.n/News24/Balkanweb)