Cana i Lazios
Përfundon telenovela. Lazio dhe Galatasaray kanë arritur marrëveshjen e shkëmbimit të Lorik Canës me portierin Fernando Muslera. Nga ky shkëmbim, klubi nga Stambolli do t’i paguajë atij romak plus tre milionë euro.
Kështu kanë raportuar mediat italiane dhe ato turke të dielën. “Marrëveshja është mbyllur”, tha drejtori sportiv i Galatasarayt, Ali Gursoy për mediet italiane.
Janë nevojitur plot dy ditë bisedime intensive mes italianëve e turqve për të arritur marrëveshje rreth të gjitha detajeve.
Kështu, Galatasaray ia ka dërguar kontratën me faks portierit Muslera në kampin e Uruguait, kombëtare kjo që po merr pjesë në Copa America.
Ndërsa, edhe vetë reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë është shprehur të jetë i lumtur me marrëveshjen e arritur.
“Jam shumë i lumtur që gjërat janë finalizuar. Mezi pres të vij në Romë”, citohet të ketë thënë mesfushori kosovar, i cili mund të luajë edhe si qendërmbrojtës.
Cana ka pranuar të luajë për Lazion edhe pse do t’i përfitojë rreth 800 mijë euro më pak sesa që i përfitonte në Stamboll. Në klubin romak, ylli i futbollit shqiptar do të ketë pagë prej 1.8 milion eurosh në vit, ndërsa në Galatasaray, paga e tij vjetore ishte 2.5 milionë euro. Mediat italiane raportojnë se shpirti luftarak i Canës ka bërë që menjëherë t’u hyjë në zemër tifozëve të zjarrtë të Lazios.
Në vend të Musleras, Lazio pritet ta zyrtarizojë transferimin e portierit të Cagliarit, Federico Marchetti.