Bajrami, gati për Evropian

Emir Bajrami ndihet i gatshëm për sfidat që e presin në kampionatin evropian të futbollit ‘Euro 2012’, i cili do të zhvillohet nga 8 qershori deri më 1 korrik në Ukrainë dhe Poloni. Futbollisti kosovar u ftua nga selektori Erik Hamren në listën përfundimtare të përfaqësueses për evenimentin më të rëndësishëm të futbollit këtë vit.
“Siç ka thënë Hamren, i kam disa cilësi që i nevojiten atij. Mua më kanë shkuar mirë punët në ekipin e tij, kështu që më vjen mirë që ka besuar tek unë dhe që më ka përfshirë në listë”, deklaroi 24 vjeçari për mediat suedeze.
Edhe pse nuk luajti shumë kohë këtë sezon me Twenten, futbollisti kosovar ndihet në formë të mirë. Për të mundësia që të luajë në Evropian është realizim i një ëndrre.
“Është një ëndërr e cila u bë realitet fakti që u ftova në fazën finale të Kampionatit Evropian. Shpresoj të më jepet mundësia të kem ndonjë minutë në këmbët e mia në Ukrainë dhe Poloni”, shtoi ish futbollisti i Elfsborgut.
Mesfushori ofanziv synon të jetë i suksesshëm, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë ekipor. “Objektiv i grupit është të shkojmë përpara dhe ta synojmë ndonjë medalje”, vijoi ai.
Bajrami e kishte kuptuar se e ka marrë ftesën, pasi e kishte ndezur televizorin të hënën mbrëma, kur edhe e kishte parë emrin e tij në listën e të ftuarve. Pastaj atë e kishin vërshuar telefonatat për ta uruar.
Periudhën prej dy javësh përgatitjejeje para zhvillimit të ndeshjes miqësore, Bajrami e konsideron të mirëseardhur, pasi që do ta ketë mundësinë ta rikthejë ritmin e lojës. Ai dëshiron t’ua demonstrojë drejtuesve të Twentes se sa vlen dhe për ta thotë se nuk e njohin dhe se nuk kanë lidhje me futbollin.