I kthehen Kombëtares me kushte

Më në fund, Tifozat Kuq e Zi kanë vendosur t’i kthehen Kombëtares së Shqipërisë, të cilën e kishin bojkotuar gati prej gjashtë muajsh në shenjë pakënaqësie me politikat e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Vendimin për ta vazhduar përkrahjen për ekipin kuq e zi, tifozët shqiptarë e kanë marrë pas një takimi që e kanë zhvilluar me zyrtarë të FSHF-së në Tiranë. Mirëpo, këta të fundit është dashur t’i përmbushin disa kërkesa të ‘lojtarit të 12-të’ të përfaqësueses së Shqipërisë për t’i bindur që të kthehen në tribuna.
Ndër kërkesat kryesore të tifozerisë shqiptare, të cilat FSHF-ja është pajtuar t’i realizojë, ishin që ata ta kenë një përfaqësues të tyre në shtëpinë e futbollit shqiptar, e po ashtu ndeshjet e ekipit kuq e zi të luhen edhe nëpër troje tjera shqiptare.
“Si tifozeria e vetme zyrtare e Kombëtares, Tifozat Kuq e Zi parashtruan disa kërkesa për organizmin më të lartë të futbollit në vend, në mënyrë që të dilet nga ngërçi i krijuar pas njoftimit të fundit për bojkot të ndeshjeve të Kombëtares”, thuhet në një njoftim të Tifozave Kuq e Zi.
“Kërkesat e Tifozave Kuq e Zi, për të cilat FSHF-ja pati gatishmëri për t’i përmbushur janë: Tifozat Kuq e Zi të kenë një anëtar që do t’i përfaqësojë në FSHF, ndeshjet e Kombëtares të luhen edhe në Shkup apo në trojet tjera shqiptare nëse stadiumet i përmbushin kushtet e përcaktuara nga UEFA dhe FIFA, lehtësimi i hyrjes së Tifozave Kuq e Zi në stadium, lejimi i përfaqësuesit të Tifozave Kuq e Zi në FSHF, të koordinojë takim mes policisë dhe FSHF-së për hyrjen në stadium”, theksohet në këtë njoftim.
Mirëpo, në disa raste Tifozat Kuq e Zi kanë lëshuar pe nga kërkesat e tyre, duke u treguar të kuptueshëm për faktin se FSHF-ja nuk ishte në gjendje t’i përmbushte ato.
“Tifozat Kuq e Zi e kanë ngritur edhe çështjen e krijimit të një lige të përbashkët kombëtare, gjë për të cilën FSHF-ja nuk ndihet kompetente në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Madje, për t’u pajtuar me udhëheqësit e futbollist shqiptar, edhe Tifozat Kuq e Zi janë detyruar t’i përmbushin disa kërkesa të tyre.
“Nga ana e FSHF-së, Tifozave Kuq e Zi u është kërkuar të mos hedhin flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike nëpër stadiume”, potencohet në komunikatë në të cilën Tifozat Kuq e Zi shprehin bindjen e tyre se marrëveshjet do të zbatohen nga të dyja palët.