E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami rikthen myslimanët te Namazgjaja

• Kurban Bajrami rikthen pas 15 vitesh, besimtarët myslimanë tek sheshi i Namazgjasë, pranë Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë. Vitet e fundit besimtarët myslimanë kanë kryer ritet e festave fetare tek sheshi para Xhamisë, në qendër të Tiranës.Trazhgim SokolajMëngjesin e djeshëm në ora 07:00, qindra besimtarë myslimanë u mblodhën tek sheshi i Namazgjasë në pjesën përpara Kuvendit të Shqipërisë. Kjo sipërfaqe është një nga pronat e vjetra të Komunitetit Mysliman në kryeqytetin e Shqipërisë. Në hyrje të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë prej ditësh ishte vendosur një tabelë e madhe që shikonte nga Komuniteti Mysliman. Mbishkrimi u uronte të gjithë besimtarëve Myslimanë festën e Kurban Bajramit. "Namazgjaja nuk është vetëm vendi ku kryhet falja, ajo së pari është tokë myslimane", tha një besimtar. Në sheshin e Namazgjasë, me sipërfaqe rreth 15 mijë metra katrorë, Komuniteti Mysliman prej vitesh po kërkon nga Bashkia e Tiranës dhënien e lejes për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Pasi kanë kryer ritin e faljes, besimtarët myslimanë që ishin mbledhur në sheshin e Namazgjasë, të njohur ose jo mes tyre, janë takuar me njëri- tjetrin dhe kanë uruar festën. Më pas, ata janë shpërndarë në banesat e tyre, ku festa kurorëzohet më bërjen e një kafshe kurban. Falja e besimtarëve në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë nuk ka qenë e mundur vitet e fundit, pasi ajo është konsideruar pronë publike. Në mënyrë të vazhdueshme Komuniteti Mysliman ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës dhënien e lejes për ndërtimin e xhamisë në këtë zonë. Probleme të ngjashme ka pasur edhe Myftinia e Elbasanit me Namazgjanë e këtij qyteti. Zona është dhënë pjesërisht për shfrytëzim nga tregtarët, ndërsa këta të fundit pasi kanë nënshkruar kontratën me Myftininë kanë pasur probleme me policinë tatimore. Besimtarët myslimanë kanë festuar dje Kurban Bajramin edhe në qytetet e tjera të vendit. Nga falja e namazit në orën 07:00 të mëngjesit nuk janë përjashtuar as të dënuarit që mbahen në burgje dhe në paraburgime. Në pjesën dërrmuese të burgjeve në gjithë vendin të dënuarit dhe të paraburgosurit u falën mëngjesin e djeshëm në ambientet e ajrimit ose në oborret e institucioneve. Ata kërkuan faljen e mëkateve dhe kryerjen e dënimit në paqe. Në Komunën e Pezës pas faljes së banorëve të zonës në Kala, kanë qenë të ardhurit nga zona dhe qytete të ndryshme të vendit që janë bërë pjesë e festimeve me rastin e Kurban Bajramit. BerishaKryeministri Berisha ka uruar dje besimtarët myslimanë me rastin e ditës së Kurban Bajramit. Pas një vizite në komunitetin mysliman shqiptar Berisha tha, se "i uroj të gjithë besimtarëve gëzuar Bajramin dhe shpreh kënaqësinë që kjo ditë i gjen shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre. Kjo ditë i gjen shqiptarët, me gjithë vështirësitë që ata përjetojnë, më të begatë, më të zhvilluar dhe më afër familjes evropiane, së cilës i përkasin".TopiKreu i shtetit, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka uruar dje myslimanët shqiptarë me rastin e festës së Kurban Bajramit. "Standardi më i arrirë në shoqërinë shqiptare, në institucionet shqiptare, është standardi i harmonisë fetare, kështu që kjo është një festë për të gjithë. Paqja, begatia dhe prosperiteti le të ndriçojnë të gjithë shqiptarët, kudo që janë, në të gjithë trojet shqiptare!", ishte mesazhi i presidentit Topi në këtë ditë të shënuar të kalendarit islam.MetaMe rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi dje Selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti, Haxhi ing. Selim Muça. Në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kryetari i LSI-së z. Meta i ka shprehur urimet më të ngrohta e të përzemërta të gjithëve besimtarëve. Kreu i LSI-së përfitoi nga rasti për të shprehur konsideratën e tij për bashkëjetesën fetare të besimeve të ndryshme në Shqipëri. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›