Bulqizë, drejtori i minierës: Minatori, vetë fajtor për aksidentin
• BULQIZE - "Fajtor për aksidentin ku humbi jetën minatori Sami Doga ka qenë vetë viktima".Këtë konkluzion e ka nxjerrë dje vetë drejtori i minierës së kromit Bulqizë, Petrit Duva, pas analizës që sipas tij u zhvillua në lidhje me rrethanat e ngjarjes së rëndë. Vetëm 4 ditë pas vdekjes tragjike në galerinë numër 16 të 45-vjeçarit, faji i është vënë vetë atij. Duke u shprehur mbi këtë fakt, sipas Duvës, viktima nuk ka zbatuar disiplinën në punë e po ashtu dhe përgjegjësi e tekniku i nivelit ku ndodhi aksidenti nuk kanë qenë strikt në kërkesën e llogarisë. Përfundimi i dalë nga drejtuesit e minierës paraprinë hetimet e prokurorisë së Bulqizës, e cila për të gjashtën herë brenda pak javësh po shqyrton fajtorët për vdekjet e minatorëve. Sami Doga u rikthye në punën e tij në minierë 1 vit pas aksidentit të parë që pësoi, ku për fat arriti të mbijetonte. Pas rikthimit në punë ai kishte kërkuar të mos hynte në galeri, por asnjë nuk e kishte pranuar këtë. Në momentin e aksidenti, shokët e tij pohuan se babai i 3 fëmijëve po vendoste shtylla për të shmangur shembjen e zonës ku punonte. Dy ditë më parë, pikërisht për rënien e tij në krye të detyrës, qeveria akordoi në ndihmë të familjes një fond prej 1 milionë lekësh.