E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteri, vdes pas kafesë 22-vjeçari

• Vdes në rrethana misterioze 22-vjeçari Armando Bushi nga fshati Grecalli i rrethit të Fierit.FIER/ MAJLINDA RAMA Shenjat e fundit kishin qenë të vjellat, pak minuta pasi ishte kthyer nga kafja e zakonshme në fshat e menjëherë ka ndërruar jetë. Për të zbardhur shkakun janë angazhuar mjekë të Fierit dhe të Tiranës, të cilët janë në dilemë mes helmimit me dashje dhe një sëmundje të papritur vdekjeprurëse. Por, për familjarët që ende nuk e kanë marrë veten nga kjo ngjarje, djali gëzonte shëndet të plotë, duke ia lënë fjalën e fundit ekspertëve. Sipas të afërmve të të riut, si çdo ditë tjetër Armando kishte dalë për të pirë kafen e zakonshme, pas një punë të lodhshme në ndërtim. Bashkë me miqtë e përhershëm është ulur në lokalin e fshatit dhe më vonë ishte larguar për në shtëpi. E vetmja gjë që ka futur në gojë ka qenë pak kos e më pas ka hyrë në tualet. Pa kaluar shumë prej andej kanë dëgjuar një britmë dhe trokitje të forta në derë. "Jam keq, më ndihmoni!". Vetëm kaq arritën të dëgjonin nëna dhe babai i Armandos. Me shpejtësi e kanë transportuar drejt spitalit të Fierit, por gjatë rrugës ai kishte ndërruar jetë. Me këto pak fjalë xhaxhai i viktimës, Musa Bushi arrin të tregojë atë që ka ndodhur në shtëpinë e vëllait të tij, Alekos. Mes lotësh ai tregon se i nipi gëzonte shëndet të plotë dhe kjo vdekje e menjëhershme i ka tronditur së tepërmi. "Jemi shtangur kur morëm vesh se Armando kishte vdekur. Gjatë qëndrimit disa minutësh në tualet ai kishte vjellë, ndërkohë që më parë nuk ishte ankuar se i dhembte gjë. Mendoj se të vjellat e shkaktuara e kanë bërë Armandon të ndihet keq, duke kërkuar në mënyrë urgjente edhe ndihmën e prindërve". Musai tregon se 22-vjeçari nuk ka pasur hasmëri në fshat që të dyshohet për helmim të qëllimshëm ndaj tij, ndërsa shpreh dhe një herë se ai gëzonte shëndet të plotë. Pas ngjarjes tragjike, të afërmit e viktimës shprehen se e vetmja pistë që duhet ndjekur nga ana e policisë është ajo e helmimit. Ndërsa të tjerë familjarë e hedhin poshtë këtë pistë, duke u shprehur se vetëm ekspertiza mjekoligjore do të nxjerrë në dritë të vërtetën e vdekjes. Sipas tyre, Armando nuk ka pasur hasmëri me asnjë që të dyshohet në këtë pikëpamje dhe nuk ka bërë fjalë me askënd. Pas shoqërimit në spital, trupi i pajetë i 22-vjeçarit është çuar në morgun e qytetit të Fierit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Punonjës të Institutit të Kriminalistikës së Tiranës kanë qëndruar aty përgjatë gjithë paradites së të enjtes, por nuk kanë bërë të ditur ndonjë shkak konkret për vdekjen e tij. Priten përgjigjet e analizave për ditët në vijim që të zbardhet edhe shkaku i vërtetë i vdekjes së të riut. Nga ana e policisë janë shoqëruar për në komisariat disa persona, banues të fshatit Grecalli, për t'u pyetur për momentet e fundit kur Armando ka qenë me ta dhe për marrëdhëniet me të tjerët në fshat. Fqinja: Donte një vajzë në fshatNjë prej fqinjeve të familjes Bushi, larg të afërmve të Armandos jep një tjetër variant, sipas të cilit lindin dyshimet për helmim të qëllimshëm nga vetë i riu. Sipas saj, prej kohësh, siç flitej në fshat, 22-vjeçari donte një vajzë nga e njëjta zonë. "Gjithsesi nuk mund të mendohet që Armando t'i ketë bërë keq vetes për shkak të mohimit të dashurisë nga e reja. Por kam dëgjuar që familjarët e vajzës nuk e pranonin lidhjen e dy të rinjve për shkak se Armando nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike. Ato pak të ardhura që djali siguronte nga puna në ndërtim, bashkë me të atin, arrin të siguronin vetëm bukën e gojës dhe kushtet i lejonin vetëm një jetesë minimale", pohon fqinja. Policia mësohet se është vënë në dijeni dhe të këtyre të dhënave, duke i marrë si dyshime në hetimin mbi vdekjen e 22-vjeçarit, ndonëse deri tani nuk ka asnjë provë konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›