E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajza, ringritja e vështirë e hekurudhës ndërkombëtare

09/04/2005  Rreth 5 vjet më parë filloi puna për të rivënë në punë stacionin e mallrave

SHKODËR - Në komunën Bajzë, të Malësisë së Madhe, fatmirësisht ekziston akoma një stacion ndërkombëtar hekurudhor, stacion ky i ndërtuar në fillim të viteve ‘80-të. Ndërtimi i tij erdhi si rezultat i rritjes së volumit të import-eksporteve që bëheshin në atë kohë ndërmjet vendit tonë dhe vendeve të Lindjes. Por, pas vitit 1992, me ndryshimin e sistemit, ky stacion mjaft i rëndësishëm për vendin tonë, nuk u përdor më, pasi u shkëputën marrëveshjet tregtare shtetërore në sasi të mëdha, duke bërë që shkëmbimi tregtar të kryhej vetëm në rrugë tokësore në pikën kufitare doganore të Hanit të Hotit.

Rrënimi fatal

Viti 1997, ashtu si për të gjithë vendin, ishte fatal, për këtë stacion hekurudhor, pasi përgjatë të gjithë rrugës, duke filluar që para Bajzës e deri pranë kufirit me Malin e Zi, shinat dhe trarët e tyre filluan të dëmtoheshin rëndë, pasi shinat filluan të vidheshin për t’u shitur me peshë në fabrikën e petëzimit në Nikshiq të Malit të Zi, ndërsa trarët mbajtës të tyre, filluan të shiteshin për djegie. Përveç këtyre dëmtimeve përgjatë linjës, dëmtime pati edhe te ndërtesa e stacionit, ku u dëmtua sinjalistika dhe u vodhën edhe tubat e ujërave. Më vonë, duke parë edhe rritjen dhe shkëmbimin tregtar ndërmjet firmave të fuqishme, si dhe pozicionin e favorshëm të kësaj linje në lidhje me shtetet e tjera të Evropës Lindore, Qendrore, por edhe linjën ekzistuese të Malit të Zi drejt shteteve të tjera Perëndimore, si dhe në sajë edhe të një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e shtetit fqinjë të Malit të Zi, që e kishin ruajtur të paprekur infrastrukturën e tyre u ra dakord për rivënien në punë të kësaj linje.

Rilindja e vështirë

Kështu, në fillim të vitit 2000, filloi puna për të zëvendësuar trarët e djegur dhe shinat e vjedhura, si dhe u riparuan pjesët e tjera të dëmtuara. Por punimet u përqëndruan vetëm në këtë drejtim, pa bërë asnjë investim tjetër në infrastrukturën e këtij stacioni kaq të rëndësishëm. Me përfundimin e këtyre punimeve të pjesëshme, filluan procedurat për rivënien në funksionim të kësaj linje, pavarësisht nga mangësitë dhe problemet që kishte stacioni. Lidhur me këto probleme si dhe me probleme të tjera është prononcuar edhe përgjegjësi i këtij stacioni hekurudhor, Savo Kondi, i cili shprehet: ”Megjithëse në Bajzë, prej vitesh ekziston stacioni ndërkombëtar hekurudhor, një nyje kjo e rëndësishme ekonomike për Rajonin, për vitin 2005, qeveria nuk e ka parë të arsyeshme dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të investuar në infrastrukturën e këtij stacioni, që e ka të detyrueshëm vënien dorë në shumë drejtime. Fillimisht nga interesimi i madh dhe premtimet për ta bërë këtë stacion model në gjithë rajonin, u mendua se kishim të bënim me një reagim serioz të shtetit. Më pas, u vu re se megjithëse ministria përkatëse dhe qeveria marrën vendim për ta shpallur stacionin ndërkombëtar të Bajzës, Drejtori Rajonale, për shkak të burokracive të shumta dhe të mungesës së një angazhimi serioz, nuk është bërë i mundur realizimi i një vendimi të tillë. Në rast se ky vendim do të ishte marrë, ai do të ndikonte në rritjen e vlerës së këtij stacioni, si dhe rritjen e besimit ndaj firmave të huaja, për transportimin e mallrave nëpërmjet kësaj linje hekurudhore, në mënyrë që të merret maksimumi i mundshën i fitimit nga ky stacion hekurudhor doganor. Ka kaluar afro një vit e gjysmë që nga vënia në punë e linjës hekurudhore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku është vënë re që puna nëpërmjet këtij stacioni dhe është rritur ndieshëm, e veçanërisht në drejtim të volumit të transportit të mallrave, duke bërë që të ardhurat e fituara nga zhdoganimi i këtyre mallrave të jënë të kënaqshme. Të ardhurat e stacionit hekurodhor të Bajzës arrihen në sajë të kontratave të nënshkruara me vendet e rajonit si Hungaria, Rumania, Italia, Gjermania, vendet e ish-Jugosllavisë etj.

Problemet As fonde e as punonjës për të “mbajtur në këmbë” stacionin Më pak se një e dhjeta e punonjësve të dikurshëm e “mbajnë sot në këmbë” stacionin hekurudhor të Bajzës. Aktualisht, ky stacion ndërkombëtar mallrash paraqitet shumë shqetësues, për shkak të vështirësive që po hasen nga mungesa e investimeve në infrastrukturën e këtij stacioni. Konkretisht këtij stacioni i mungon totalisht komunikimi me linjë telefonike, furnizimi me energji është periodik, sinjalizimet e hekurudhës nuk funksionojnë, për praninë e ujit të pijshëm as që bëhet fjalë në këtë stacion. Por një element tjetër, që e ka vështirësuar punën në këtë stacion, është organika mjaft e cunguar. Po të vërejmë këtë organikë, të duket si paradoksale kur konstaton se, megjithë volumin e punës, gjithnjë e në rritje, në këtë ndërmarrje kaq me rëndësi, jo vetëm për Rajonin, aktualisht punojnë 16 punojës, që kanë vështirësi kohore për përpunimin e mallrave, në një kohë kur në fund të vitit '90, numëroheshin 185 persona të punësuar në këtë stacion. Drejtuesit dhe punonjësit e këtij stacioni janë më se të bindur se investimet e detyrueshme që duhen bërë, do të mund të justifikohen shumë shpejt, madje të ardhurat doganore të shtetit do të jenë shumë herë më të mëdha sesa tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›