E Diel, 1 Nëntor 2026

I dehuri shtyp endacakun, ndalohet nga policia

09/04/2005  Mbi trupin pa jetë kanë kaluar dhe makina të tjera, duke e ngatërruar me kafshë

ELBASAN - Aksidentohet për vdekje një endacak, i paidentifikuar ende nga policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.30 pas mesnatës së djeshme, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik, në afërsi të një karburanti. Një burrë, rreth 45 vjeç, është përplasur nga një automjet, duke mbetur i vdekur në vend. Drejtuesi i mjetit tip “Audi 80”, me targa EL 5520 B, Sevet Hoxha, 49 vjeç, lindur e banues në Elbasan ka rënë në prangat e policisë, si autor i aksidentit. Ai i është nënshtruar testit të alkoolit dhe më pas është shoqëruar për në komisariatin e policisë së Elbasanit. Testi, sipas burimeve nga policia, ka rezultuar me një përqindje të lartë alkooli. Askush nuk e ka parë momentin e aksidentit, por ndërtimi i ngjarjes është bërë shumë shpejt nga policia. Drejtuesi i automjetit, Servet Hoxha, që ka shkaktuar aksidentin, është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa automjete të tjera kanë kaluar sipër trupit të pajetë të endacakut, duke e kujtuar atë për ndonjë kafshë të shtypur. Jo shumë larg vendit të ngjarjes, në kryqëzimin e Cërrikut, autori ka tradhtuar veten, duke humbur ekuilibrin e automjetit, duke shkaktuar dyshime tek efektivi i policisë në patrullë, që e ka ndaluar për këtë veprim. I ndihmuar nga ndriçimi polici ka parë xhamin e thyer dhe rrotat e makinës me njolla gjaku, duke dyshuar për më tepër. Në të njëjtën kohë që polici ka ndaluar shtetasin Hoxha, një drejtues automjeti, që sapo kishte kaluar nga aksi rrugor i aksidentit, kishte njoftuar për një kufomë në rrugë. Menjëherë në vendin e ngjarjes janë kryer veprimet e para, duke tentuar fillimisht identifikimin e kufomës, i cili ka qenë i pamundur, por dyshimet janë se viktima është lypës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›