Bakaj, “mbreti” i 2009 në futbollin shqiptar
TIRANE-Elis Bakaj është mbreti i futbollit shqiptar për vitin 2009. Fantazisti i Dinamos është nderuar me çmimin "Lojtari i Vitit" në mbrëmjen Gala të organizuar dje nga Federata Shqiptare e Futbollit. Figura të shumta të sportit, politikës apo medias sportive, ishin të pranishëm në festën e kthyer tashmë në traditë çdo fundvit. FSHF ka zgjedhur të nderojë figura të njohura të sportit, që në këtë vit elektoral për këtë institucion, dukej se ishin përzgjedhur edhe në bazë të gjeografisë. Emra si Agustin Kola, Ilir Përnaska apo shumë të tjerë, janë vlerësuar për kontributin e tyre shumëvjeçar në futboll, teksa edhe figurat që dorëzonin çmimet dukeshin të zgjedhur me kujdes. Nuk kanë munguar nderimet për ata që nuk jetojnë më, duke nisur nga Kujtim Majaci e Petro Ruci, por edhe Agim Murati e Lefter Millo. Për t'i dhënë trofeun djalit të Majacit, FSHF kishte zgjedhur një person nga Fieri, ministrin e Mjedisit Fatmir Mediu. çmim ka marrë edhe ish-gjyqtari Bujar Pregja, tashmë zëvendës president i Shoqatës së Arbitrave. Por, trofeu më i rëndësishëm pa më të voglin dyshim ishte ai për futbollistin e vitit në Shqipëri. Ai është zgjedhur Elis Bakaj, kryegolshënues i këtij edicioni në Superligë dhe lideri i Dinamos që kryeson me një ecuri rekord në futbollin shqiptar. Trofeu, një këpucë ngjyrë ari, i është dorëzuar atij nga presidenti i FSHF-së Armand Duka. Elis Bakaj Një vit më parë, ai shihej thjeshtë si një talent premtues, por edhe një "rebel", teksa akuzonte hapur presidentin e Partizanit Albert Xhani se nuk i kishte mbajtur premtimin për ndërtimin e një skuadre kampione. Por, kalimi te Dinamo në merkaton e janarit të këtij viti, duket se e ka ndryshuar shumë Elis Bakajn, i kthyer tashmë në futbollistin më të mirë të Superligës. çmimi i djeshëm nuk ishte i rastësishëm për këtë lojtar, që ka harruar edhe momentet e nervozizmit në fushë apo të reagimeve të papjekura. Ai ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje, ndërsa ka qenë deciziv në rezultatet e skuadrës së Muçës. "Më vjen mirë që e kam marrë këtë çmim, pasi është një vlerësim nga specialistët e futbollit për atë që kam dhënë në fushën e lojës, - u shpreh Bakaj pas ceremonisë. - Kam punuar shumë për të arritur deri këtu dhe ia dedikoj këtë familjes time dhe natyrisht Dinamos", shtoi ai. Bakaj ka disa objektiva për 2010, duke nisur që nga titulli që ëndërron të fitojë me Dinamon e deri tek transferimi në ndonjë kampionat të huaj. "Tashmë dua të fitoj edhe titullin me Dinamon, por jemi të vetëdijshëm se kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Megjithëse më josh ideja për të shkuar jashtë dhe për të provuar veten, kam dëshirë që të shpallem njëherë kampion në Shqipëri, pasi kjo do të ishte hera e parë në karrierën time, - deklaroi ai. - Kombëtarja? Duhet shumë punë edhe aty, sepse sapo jam grumbulluar". (d.b/BalkanWeb)