Fëmijët e emigrantëve në Greqi fitojnë nënshtetësinë
Autori i Lajmit: Entela DurajTë gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi në pesë vitet e fundit do të përfitojnë nënshtetësinë. Njëkohësisht edhe prindërit e tyre do të jetojnë të ligjshëm në 5 vitet e fundit. Nga ky vendim do të përfitojnë qindra familje shqiptare. Nënshtetësia do të jepet gjithashtu tek fëmijët që jetojnë në Greqi dhe kanë kaluar 3 klasa të shkollës fillore. Këta fëmijë në moshën 18 vjeç do të detyrohen të deklarojnë nëse duan të marrin nënshtetësinë greke. Në këtë rast, ata do të përfitojnë të drejtë vote ndërsa djemtë do të kryejnë detyrimisht shërbimin ushtarak. Nëse nuk e duan nënshtetësinë nuk do të kenë të drejtë për ta kërkuar sërish. Këto parashikon projekt-ligji i Ministrisë të Brendshme që po diskutohet tani në Këshillin e Ministrave. Në një projekt-ligj të dytë do të diskutohet për 220.000 homogjenë dhe të huaj që jetojnë të ligjshëm në Greqi për të përfituar të drejtën e votës, por vetëm në zgjedhjet lokale. Në këto 17 vite që ndodhen në Greqi, emigrantët përbëjnë një force të madhe pune, më kryesorja me kosto të ulët, që japin kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë dhe përparimin e Greqisë. Ata gjithashtu përbëjnë 7.1 për qind të popullsisë së Greqisë, ndërsa në këtë shifër përfshihet edhe një brez i dytë emigrantësh, fëmijët që u linden dhe u rritën këtu, në këto 15 vite të emigracioni. Sipas INSTAT (2004), 700,000 shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë periudhës 1989-2001 dhe në vitin 2005 numri i emigrantëve u rrit në 864,485, që përbën 27.5% të popullsisë totale në vend (Banka Botërore, 2005). Po studimet e kryera deri më sot të bazuara në ritmin e zhvillimeve të fakteve të emigracionit ka sjellë një shqetësim në shoqërinë dhe politikën vendase në Greqi, kjo pasi në 40 vitet e ardhshme mendohet se do të ketë më shumë të huaj se sa grekë. Studim i fundit i Sindikatave të Përgjithshme të Greqisë (GSEE), publikuar në gazetën “TO ARTHRO” më 8 prill të këtij viti, ka dhënë alarmin se në vitet e ardhshme, numri i të huajve në Greqi do të jetë 14 milionë, ndërsa i vendasve në shifrën 11 milionë. Në qoftë se ky studim do të ketë këto përfundime, atëherë për vendasit patjetër do të jetë një fenomen i pabesueshëm, ku numri përgjithshëm i popullsisë do jetë në 25 milionë banorë. Ky studim mbështet në faktin se shumë emigrantë ekonomikë vijnë në rrugë klandestinë dhe legalizohen menjëherë, duke rritur gjithnjë numrin e popullsisë. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të legalizuar në Greqi është 598.477. Nga ky numër 369,443 janë burra dhe 229.000 gra. Studimi thekson se në këtë mënyrë çdo vit qëndrojnë në Greqi rreth 30.000-40.000 emigrantë, po dhe kaq në numër janë të tjerë ku akoma nuk është bërë regjistrimi i tyre. Po me gjithë këtë nga Instituti I Sindikatave të Greqisë mendohet se çdo vit në Greqi numri i emigrantëve të paligjshëm rritet në 60.000 - 80.000. Duke u nisur nga ky fakt mendohet se në vitin 2050 rritja e popullsisë në Greqi do shkojë në 25 milionë banorë, ku vetëm 11 milionë do të jenë vendas.
Lidhur me përbërjen e komuniteteve numri i emigrantëve të ligjshëm është:
- Shqipëria 340.000,
- Bullgaria 66.00,
- Rumania 26.000,
- Ukraina 21.000,
- Pakistani 17.000,
- Gjeorgjia 14.000,
- Egjipti 12.000,
- Rusia 11.000,
- India 10.000,
- Moldavia 10,000 etj.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009