Premierligë Hjuxhs do të hedhë në gjyq Mançester Sitin
Autori i Lajmit: RedaksiaLondër - Mançester Siti është përfshirë nga polemikat pas vendimit për të larguar Mark Hjuxh dhe për të marrë Roberto Mançinin në pankinë. Hjuxh u është drejtuar avokatëve të tij dhe ka ndërmend të hedhë në gjyq drejtuesit e klubit, duke i akuzuar se e kanë marrë vendimin shumë kohë më përpara. “Duke parë kohën e shpejtë që u lajmërua pasuesi im, është e qartë se klubi e kishte marrë këtë vendim me kohë, - ka thënë uellsiani. – Mua më ishte kërkuar vendi i 6-të ose 70 pikë dhe ne ishim në këtë linjë”, shtoi ai. Ndërkohë disa lojtarë të skuadrës, mes të cilëve Kreg Belami dhe portieri Shei Givën, nuk e kanë pritur mirë largimin e trajnerit dhe kanë shkuar te drejtuesit për tu kërkuar ta rimarrin në punë. Gjithsesi, për ta ka qenë një “jo” e prerë. Kjo situatë megjithatë mund të sjellë klane në skuadër dhe një përplasje mes këtyre lojtarëve dhe trajnerit të ri Roberto Mançini. Por, “Daily Mirror” sqaron se tekniku italian nuk duket aspak i shqetësuar nga kjo dhe u ka dërguar një mesazh të qartë rebelëve: “Ose do të luani për mua, ose do të largoheni”.
Ndërkohë, për të ngjitur skuadrën në majën e futbollit anglez, drejtuesit arabë të Mançester Sitit i kanë ofruar Mançinit një buxhet të frikshëm, rreth 100 milionë stërlina për ti shpenzuar në merkaton e janarit. Sipas mediave angleze, objektivi kryesor i Mançinit është Dagllas Maikon i Interit. Mbrojtësi i djathtë i zikaltërve është një prej më të mirëve në botë në rolin e tij. Mbrojtësi brazilian dhe trajneri italian kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin gjatë kohës që ky i fundit ishte në krye të stolit zikaltër. Tashmë që është teknik i Mançester Sitit, Mançini dëshiron ta ketë përsëri në ekip anësorin brazilian të Interit.
Maikon sapo ka rinovuar kontratën me klubin zikaltër, megjithatë, sipas asaj që shkruajnë tabloidët britanikë, Morati mund të bindet në rast të një oferte të kënaqshme. Dhe duke parë buxhetin e pakufizuar që sheikët arabë i kanë vënë në dispozicion trajnerit të ri, kjo nuk duket edhe aq e pamundur. Objektiva të tjerë mbeten edhe Xhorxhio Kielini i Juventusit, Xhon Terri i Çelsit, Rikardo Karvajo, Aleksandre Pato e Karim Benzema. Mançini gjithashtu ka ndërmend të flasë edhe me Robinjon, për ta bindur që të qëndrojë në skuadër.
Pa paralajmërim
“Mua nuk më është dhënë paralajmërim nga ana e klubit për këtë vendim. Duke parë shpejtësinë me të cilën u emërua pasardhësi im, duket se klubi e ka marrë vendimin kohë më parë”. Siti ka humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon në kampionat, por gjithashtu ka fituar vetëm dy nga 11 ndeshjet e fundit dhe Hjuxhs ka thënë se ishte i zhgënjyer që nuk arriti të shihte deri në fund realizimin e planeve të tij në klubin më të pasur në botë. “Në fillim të sezonit unë jam ulur dhe kam biseduar me pronarët dhe kemi rënë dakord që vendi i gjashtë në Premier Ligë do të ishte një objektiv realist, pra të merrnim rreth 70 pikë. Të gjithë lojtarët e dinin se çfarë duhet të bënin dhe ishin në dijeni të objektivit. Sigurisht që të gjithë ne do të donim të fitonim më shumë ndeshje, por në momentin e shkarkimit tim ishim pikërisht në objektivin e caktuar. Tani në fund kemi pasur disa fitore të bukura kundër Arsenalit dhe Çelsit”,- ka deklaruar Hjuxhs. Siti është në vend të gjashtë në Premier Ligë dhe në ndjekje të vendit të katërt, që e fut në Ligën e Kampionëve.
Rebelimi i lojtarëve
“Neës of the ëorld” shkruan se drejtori i përgjithshëm, Gari Kuk, është përballur me 6 lojtarë të udhëhequr nga Kreg Belami dhe portieri Shei Given. Pas ndeshjes së ditës së shtunë, Mark përshëndeti çunat dhe njoftoi largimin. “Lojtarët e respektojnë atë si njeri dhe nuk arrijnë ta besojnë pse u trajtua në këtë mënyrë. Gjithçka u krye pa asnjë klas dhe lojtarët vendosën të bëjnë diçka për këtë. Ata thanë se pas gjithë kësaj qëndron Geri Kuk e Brajën Marud”, - thotë një burim brenda grupit bardhekaltër. Gjatë 18 muajve të fundit, Mançester Siti ka shpenzuar rreth 225 milionë euro, por rezultatet e Hjuxhs kanë qenë zhgënjyese për drejtuesit, të cilët kërkojnë trofe, pasi kanë ndërtuar një skuadër mjaft të fortë dhe të denjë për tu përballur me çdo kundërshtar. Mançini ka nënshkruar një kontratë prej 3.5 milionë eurosh në sezon deri në vitin 2013. Në lidhje me kontratën e trajnerit italian, flitet se shkon deri në fund të sezonit 2013 dhe ai do të marrë 3.4 milionë euro, neto, në vit, duke u bërë kështu ndër trajnerët më të paguar në futbollin anglez. Por thuhet se ka edhe një klauzolë, sipas së cilës, nëse skuadra nuk kap një vend në Champions, do të ketë ulje rroge, diçka që mohohet nga rrethi i Mançinit. “Jam shumë i lumtur dhe i motivuar për këtë aventurë angleze - ka thënë Mançini. Jam i bindur se do të bëjmë diçka të mirë”. Këtë urim ka bërë edhe Kevin Kigan, ish-trajner i Sitit nga maji 2001 deri në mars 2005. “Mançini nuk e njeh Premier Ligën, sepse nuk ka qenë kurrë në Angli - citohet ai nga “Sunday Star”, por është trajner i klasit të parë dhe nëse fiton Carling Cup, do të bëhej menjëherë hero.” Për sa i përket shkarkimit brutal të Hjuxhsit, Kigan ka thënë: “E kanë larguar, sepse nuk e kishte emëruar presidenca, domethënë pronarët e Abu Dhabi United Group. Shikoni deklaratën zyrtare me të cilën dhanë lajmin, që dukej si komunikatë biznesi dhe jo futbolli. Hjuxhsit nuk iu dha koha e mjaftueshme. Mund të jetë një klub me shumë objektiva ambiciozë, por në futboll ka edhe dëmtime dhe skualifikime lojtarësh, që ndikojnë”.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009