Moti i keq deri në Krishtlindje, vetëm Polonia 42 viktima
Autori i Lajmit: Redaksia
Evropë - Stuhitë e dëborës dhe temperaturat nën zero kanë shkaktuar të paktën shumë të vdekur në Evropë dhe kanë çrregulluar transportin ajror, hekurudhor dhe atë rrugor. Të paktën 42 persona ngrinë për vdekje më Poloni, pasi temperaturat ranë shumë nën zero, ndërkohë që në Gjermani u regjistrua temperatura -33C. Ndërkohë që meteorologët thonë se temperaturat do vazhdojnë të jeni të ulta deri në 25 dhjetor. Lajmin e bën të ditur policia që thekson se numri më i madh i viktimave kanë qenë njerëz të alkoolizuar. Në disa zona të Polonisë, temperaturat kanë arritur deri në -20 gradë celcius. Ndërkohë, një pjesë e Italisë Veriore është bllokuar, pasi trenat kanë anuluar nisjet për shkak të dëborës së madhe, ndërsa veriu i Gjermanisë është paralizuar. Nga moti i keq janë anuluar fluturime ajrore dhe trenat e pasagjerëve “Eurostar” që nuk po udhëtojnë për shkak të defekteve elektrike. Udhëtimet e mbi 55 mijë pasagjerëve nga Franca drejt Britanisë dhe anasjelltas u anuluan pasi gjashtë trena pësuan defekte nga ajo që “Eurostar”-i e cilësoi si mot dimëror të paprecendent në Francë.
Eurostar fillon sot punë
Trafiku i trenave “Eurostar” mes Parisit dhe Londrës do të rifillojë sot pjesërisht qarkullimin nëse provat që po bëhen do të shkojnë mirë. Lajmin e ka bërë të ditur një drejtues i konsorciumit, i cili ka saktësuar se kthimi i situatës në normalitet do të ndodhë vetëm pas Krishtlindjeve. Ndërkohë, faqja e internetit e kompanisë ka njoftuar se “Eurostar” do të rimbursojë pasagjerët që mbetën të bllokuar në tunelin e La Manshit gjatë natës së të premtes dhe së shtunës, si dhe të gjithë ata që nuk munden të udhëtonin në tre ditët e fundit.
Autoritetet franceze kanë kërkuar hetime rreth mbylljes së lidhjes hekurudhore mes Britanisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Moti i keq ka krijuar probleme udhëtimi edhe në det. Porti francez i Kalesë u mbyll të shtunën duke shkaktuar vonesa për automjetet rreth portit anglez Dover ku shërbimet e trageteve ishin prekur tepër, ndërkohë që autoritetet gjermane njoftuan dhe mbylljen e aeroportit të Dyseldorfit. Në Poloni policia i bëri apel popullatës që të ndihmonte të dehurit dhe të pastrehët, menjëherë pasi temperaturat ranë në disa rajone deri në -20C. Shumica e atyre që vdiqën nga ngrica në fundjavë ishin të pastrehë. Ndërkohë, pronari i një restoranti në Krakov ofroi nga një vakt ushqimi për dhjetëra të pastrehë në sheshin qendror të qytetit. Gjetkë në Evropë, dy persona vdiqën në provincën jugore të Austrisë, Styria. Në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë operatorët e aeroporteve u desh të anulonin fluturime ngaqë pistat e aeroporteve ishin të mbuluara nga dëbora. Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur gjatë javës që sapo lamë pas në Rumani, për shkaqe të lidhura me të ftohtin e madh që ka përfshirë vendin.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në Bukuresht, e cila i ka bërë thirrje popullsisë që të shmangte qëndrimin në ambientet me temperatura polare.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009