E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis sot në Shqipëri, bisedime për NATO-n dhe Kosovën

Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis mbërrin sot në Tiranë për vizitë zyrtare, në krye të një delegacioni të gjerë qeveritar. Objekt i bisedave të ministres Bakojanis dhe zyrtarëve shqiptarë do të jenë çështjet që i përkasin marrëdhënieve politike dhe ekonomike dypalëshe dhe probleme të rajonit. Ministrja e Jashtme e Greqisë do të takohet me homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Presidentin Bamir Topi. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Jashtme greke, objekt i bisedave të ministres Bakojanis do të jenë midis të tjerash çështjet që i përkasin marrëdhënieve politike dhe ekonomike dypalëshe, duke përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin grek, probleme të rajonit, duke i dhënë theks të veçantë Kosovës, emrit të Maqedonisë, si dhe problemeve që kanë të bëjnë kryesisht me ecurinë evropiane të Shqipërisë dhe kandidaturën e saj për integrimin në NATO. Gjithashtu është programuar edhe takimi ministres greke me kreun e socialistëve shqiptarë dhe kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, i cili do t‘i dhurojë znj. Bakojanis çelësin e artë të qytetit.

Pas këtij takimi, ajo do të zhvillojë bisedime edhe me Kryepeshkopin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastasin, si dhe me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.

Në fund të axhendës së ministres greke është programuar edhe vizita e saj në spitalin e Tiranës, ku do të shohë nga afër të plagosurit e tragjedisë së madhe të Gërdecit.

Ambasadorët e NATO

Ambasadori i Belgjikës, Franciskus Baron van Daele, ambasadori i Lituanisë, Linas Linkevicius, dhe ambasadori i Sllovakisë, Igor Slobodnik, në NATO, ndodhen në një vizitë dyditore në Shqipëri, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, për të parë nga afër zhvillimet e fundit në Shqipëri, progresin e arritur në fushën e reformave, si dhe për të diskutuar së bashku ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe hapat e mëtejshëm në ditët që vijnë, deri në Samitin e Bukureshtit, në fillim të prillit. Ambasadorët shprehën ngushëllimet e qeverive të tyre dhe solidarizimin me Shqipërinë për ngjarjen tragjike të ndodhur në Gërdec. Ata shprehën bindjen dhe vlerësimin e tyre për masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të përballuar situatën.

Bashkëbiseduesit diskutuan gjerësisht mbi çështje të sigurisë në rajon, parë kjo nga optika e NATO-s dhe perspektiva e zgjerimit në Samitin e Bukureshtit. Në takim u diskutua gjerësisht edhe për situatën në rajon dhe në Kosovë. Gjatë takimit me ambasadorët, ministri Basha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke theksuar veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në aspektin ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›