Presidenti viziton familjet e viktimave
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje disa prej familjeve të viktimave që humbën jetën në shpërthimin e një depoje municioni në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës.
Sipas zyrës së shtypit pranë Presidencës, vizitën e parë kreu i shtetit e bëri në familjen Deliu, në lagjen "Kombinat" të Tiranës, e cila ka humbur tre anëtarë të saj: Jetmirin, 21 vjeç, Liljanën 24 vjeçe dhe Flavion 3 vjeç". Presidenti Topi i shprehu familjes Deliu ngushëllimet e sinqerta, duke e siguruar njëkohësisht që do të punohet intensivisht dhe me profesionalizëm për të kaluar fillimisht traumën psikologjike dhe më pas, për të siguruar rikuperimin ekonomik. "Tragjedia mund të ketë ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor, interesimi i strukturave të shtetit është maksimal për të siguruar zbatimin e ligjit dhe për të mundësuar që organet përkatëse të drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nëpërmjet një procesi të pastër hetimor, por më e rëndësishme është që të kapërcehen pasojat e rënda dhe jeta të kthehet në normalitet", tha Presidenti Topi.