E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mediut: MEICO të mbikëqyrë çmontimin e municioneve

Zbulohet urdhri i lëshuar nga ministri i Mbrojtjes në dhjetor të 2007-ës, që kompania MEICO të kujdeset për mbikëqyrjen e çmontimit të municioneve në rajonin e Gërdecit. Ministria e Mbrojtjes, sipas një urdhri të datës 7 dhjetor të vitit të kaluar, ka urdhëruar që komandanti i Forcës së Bashkuar dhe komandanti i Komandës së Mbështetjes, t‘i kalojnë Ndërmarrjes MEICO, Tiranë, municionet me gëzhojë tunxhi të kalibrave 20-152 mm. Sipas këtij urdhri, ndërmarrja MEICO duhet të lidhte kontratë me kontraktonin "Southern Ammunition Company", në bazë të kërkesave të përgjithshme të Kodit Civil dhe pikës 4 të Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 14.03.2007 "Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi", për shitje të municioneve për çmontim dhe çmilitarizim brenda vendit, sipas çmimeve të miratuara nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Municionet do t‘i dorëzohen ndërmarrjes MEICO, me dokumente dalje e jashtme sipas rregullores së Shërbimit të Armatim-Municionit. Sipas urdhrit të ish-ministrit Mediu, komandanti i Forcës së Bashkuar dhe Komandës Mbështetëse do të marrin masa për ngarkimin, dorëzimin e municioneve dhe shoqërimin dhe sigurimin e mjeteve të transportit me municion dhe dorëzimi i këtyre municioneve do të mbikëqyret nga specialistët e municioneve. Duke iu referuar këtij vendimi, ndërmarrja MEICO do të vërë në dispozicion të realizimit të projektit ambientet në administrim të saj, në ish-brigadën e Tankeve, në rajonin e Gërdecit në Vorë. "Ndërmarrja MEICO përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, në kushte të rrepta vëzhgimi e sigurie", citohet në urdhrin e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes në dhjetor të 2007-ës. Sipas këtij urdhri, ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe ndërmarrja MEICO. Hyrja dhe dalja e personelit të projektit në repart është urdhëruar të bëhet komfort rregullave. Drejtoria e Logjistikës ka kërkuar që municionet të demontohen në ambientet e ish-brigadës së Tankeve, në rajonin e Gërdecit nga kontraktori i ndërmarrjes MEICO ‘Southern Ammunition Company" dhe ky proces të bëhet nën mbikëqyrjen e ndërmarrjes MEICO. Po të njëjtën kërkesë ka bërë edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që çmontimi i municioneve të bëhet në fshatin Gërdec nga kontraktori "Southern Ammunition Company" nën mbikëqyrjen e ndërmarrjes MEICO. Për zbatimin e këtij urdhri është ngarkuar Komandanti i Forcës së Bashkuar, Komandanti i Komandës Mbështetëse dhe drejtori i ndërmarrjes MEICO. Ndërsa Forcat e Armatosura dhe Drejtoria e Logjistikës do të ndjekë zbatimin e urdhrit vetëm për dorëzimin e municioneve ndërmarrjes MEICO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›