Balesit nuk i kujtohet masakra ndaj civilëve afganë

Avokati i ushtarit amerikan, të akuzuar për vrasjen e 16 civilëve afganë në provincën Kandahar, e ka përshkruar takimin e tij të parë me rreshterin Robert Bels si një nga më emocionuesit në jetën e tij.
Avokati John Henry Browne është takuar me ushtarin 38-vjeçar për tri orë e gjysmë në burgun ushtarak, ku i dyshuari po mbahet në izolim.
Ai u ka thënë gazetarëve se Bels “nuk e kujton incidentin”.
“Atij nuk i kujtohet asgjë nga mbrëmja në fjalë. Kjo do të thotë se vuan nga amnezia”, ka thënë Browne para gazetarëve.
Nëse shpallet fajtor, Bels mund të përballet me dënimin me vdekje.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i ka kërkuar falje homologut afgan, Hamid Karzai dhe ka premtuar hetime të plota të incidentit që ka ndodhur në jug të Afganistanit, më 11 mars.