Asma Al Assad, diktatorja e vërtetë e Sirisë?
Ndërsa në Siri vazhdon represioni i regjimit, shtypi britanik hedh dritë mbi të fshehtat e familjes së presidentit Bashar Al Assad. Duket se bashkëshortja e presidentit, Asma al Assad, është diktatorja e vërtetë e familjes.
"Jam unë diktatorja e vërtetë, ai nuk ka zgjedhje tjetër", thuhet në një porosi që Asma i ka dërguar një miku të saj më 14 dhjetor, duke bërë shaka për marrëdhënien e saj me bashkëshortin. Në një tjetër porosi dërguar më 10 janar, po të njëjtit mik, zonja e parë e Sirisë shkruan se vlerësoi shumë një fjalim të mbajtur nga i shoqi dhe faktin që ai përcolli shumë mirë vullnetin për të mbajtur pushtetin dhe rendin në vend.
Publikimi i këtyre porosive dërguar nëpërmjet postës elektronike zbardh realitetin e një familje në pushtet, në një vend krejtësisht të izoluar. Duket se Asma është protagonistja e vërtetë e një serie porosish.
Figura e zonjës së parë siriane ka nisur të kontestohet ashpër vitin e kaluar, në fillim të "Pranverës arabe".