E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baleti Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në një version modern

Baleti Gjenerali i ushtrisë së vdekur bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare do të vijë premierë në skenën e operës nesër për të vijuar dhe në datat 12,14 dhe 15 mars. Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga skenografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkëpunëtor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. Gjenerali i ushtrisë së vdekur do të jetë nën interpretim nga solistët Enada Hoxha, Gert Vaso, Ledian Agalliaj, Diona Gjinika, Ezdalin Gorani, Manjola Hasani, trupa e baletit, Orkestra Simfonike e T.K.O.B. Dirigjenti i shfaqjes do të jetë Bujar Llapaj. Vepra realizohet nën një redaktim të ri nga prof. Zhani Ciko Drejtor i Përgjithshëm i T.K.O.B. Baleti bashkëkohor mban firmat më të rëndësishme të artit shqiptar, si dhe me krijues francezë me libret të ndërtuar mbi romanin më të famshëm të literaturës shqiptare të njohur në botë. Premiera vjen në skenë me muzikë të njërit prej kompozitorëve shqiptarë më të rëndësishëm dhe më të ekzekutuar brenda dhe jashtë Nikolla Zoraqi (1929-1992), në 80-vjetorin e lindjes së tij, si dhe koreografi të mjeshtrit të koreografisë dhe baletit shqiptar Agron Aliaj. Dirigjenti Bujar Llapaj, i cili ka një karrierë të madhe operistike dhe asaj simfonike diplomuar në Akademinë e Arteve, specializuar në Paris, tregon se vepra do të vijë ndryshe për publikun, me një koncept të ri. Po përgatitemi seriozisht, sepse është një vepër që ia vlen. Kjo për disa arsye dhe jo vetëm për llojin e krijimtarisë, jo vetëm për titullin që mban që është vepër e Ismail Kadaresë shumë e njohur, por dhe për mundësinë që jepet që veprat tona të rivihen dhe kjo vepër që vjen menjë koncept të ri, dhe të zhveshur nga ndikimet e asaj kohe diktimet e asaj periudhe. Kjo është një variant modern baleti qoftë në koreografi qoftë dhe në muzikë. Janë zgjedhur pjesë të veçanta që përshtaten me koreografinë. Ky është  një version i redaktuar nga mjeshtri Zhani Ciko, i cili e ka përshtatur dhe balet. Vepra ka dhe artistë të huaj, të cilët kanë bashkëpunuar për këtë produksion, tregon dirigjenti Llapaj. Kompozitori Nikolla Zoraqi gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Artisti i Popullit lindi në vitin 1929 dhe u nda nga jeta në vitin 1991. Provoi thuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga kënga tek opera, nga miniature instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia. Në të gjitha këto gjini pati arritje të rëndësishme. Ashtu si ndodhi rëndom në periudhën kur ai krijoi një vëmendje të veçantë Zoraqi i kushtoi krijimit të një muzike me karakter të theksuar kombëtar, në krijimin e karaktereve shqiptare e të figurave të rëndësishme kombëtare. Këtu mund të përmendim vepra të tilla si Komisari, Shota e Azem Galica, Cuca e maleve etj. Për aktivitetin e tij Nikolla Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët përmendim çmimin e Republikës për baletin Cuca e Maleve, titullin Artist i Merituar dhe titullin Artist i Popullit. Mustafa Krantja e vlerëson kompozitorin: Ishte dhe do të mbetet një figurë e shquar për artin tonë kombëtar muzikor. Kontributi i tij i shquar do të mbetet një shembull i larte për ne të gjithë dhe për brezat që do të vijnë. Krijimtaria e tij thellësisht e apasionuar pothuajse në të gjitha gjinitë muzikore është një kontribut sa i madh, aq edhe me vlerë në drejtim të përmbajtjes dhe të nivelit të lartë artistik për artin tonë kombëtar. Veprat e Nikolla Zoraqit janë ndër më të ekzekutuarat në Shqipëri por edhe jashtë shtetit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›