Komisioni i Venecias: Referendumi, jo kushtetues
Sipas Top Channel, kërkesa e disa formacioneve politike për të çuar në referendum ndryshimet kushtetuese, pritet të marrë së shpejti një goditje të fortë nga Komisioni i Venecias. Sipas kësaj medie, ka zbuluar dokumentet konfidenciale që raporterët e Komisionit të Venecias kanë përgatitur për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, të cilës iu kërkua pak muaj më parë nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës të shprehet për mohimin që iu bë kërkesës së tyre për referendum nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Raporterët e Komisionit të Venecias, në tre raporte të ndryshme dhe të pandikuar nga njëri-tjetri, dalin me të njëjtat përfundime: se kërkesa për referendum nuk është kushtetuese. Sipas raportit rrëzimi i kërkesës nga KQZ nuk bie ndesh me parimin e sovranitetin popullor, të përcaktuar në nenin 2 të Kushtetutës dhe me nenin 150 të saj që përcakton të drejtën për referendum. Pas këtij qëndrimi që pritet të bëhet publik së shpejti nga Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila kishte kërkuar këtij Komisioni interpretimin e kërkesës, pritet gjithashtu, të rrëzojë kërkesën për referendum, të mbështetur nga LSI. Sipas Top Channel, burime konfidenciale pranë Komisionit të Venecias konfirmojnë për këtë media se ky dokument do të përmbajë vlerësime pozitive për Kodin, duke u shprehur se Komisioni i Venecias lavdëron aktorët e procesit të reformës zgjedhore për punën e kryer. Rekomandimet përfshijnë sugjerime për ndryshime, por Komisioni i Venecias sugjeron që këto të bëhen në një të ardhme tjetër.