E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Balkan Pazar” e Budinës, pas Sofjes premiera në Tiranë

Filmi shqiptar “Balkan Pazar” e regjisorit Edmond Budina pati një premierë të suksesshme në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje, që u zhvillua në muajin mars e menjëherë pas kësaj premiere filmi që në qendër të subjektit ka skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit do të shfaqet për herë të parë edhe për publikun shqiptar. Premiera e filmit do të jetë më 14 prill në kinematë e kryeqytetit. Ndërkohë filmi është prezantuar si projekt në Sofia Meeting në vitin 2009 dhe u përfshi në seksionin e Ballkanit në konkurrim në këtë festival nga data 9-13 mars. Në këtë seksion u shfaqën disa nga filmat më të mirë të Ballkanit. Filmi shqiptar u prit mirë nga publiku dhe për subjektin që trajtonte. Ne qendër të tij janë francezja Joli dhe italiania Orsola, të cilat kanë zbuluar fshatin më të çuditshëm në Jug të Shqipërisë, ku kockat blihen dhe shiten. Hitoria e filmit të Edmond Budinës, “Balkan Pazar”, është bazuar në ngjarje reale e pikërisht në skandalin e zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit. Është pikërisht skandali i katër viteve më parë ku u zhvarrosën eshtrat e të vdekurve të fshatit Kosinë për t’u shitur si eshtrat e ushtarëve grekë, ajo që ka nxitur regjisorin Budina për të realizuar këtë film. Filmi i Edmond Budinës “Balkan Pazar” sjell pikërisht këtë ngjarje skandaloze, por në një këndvështrim të ri; përmes humorit. Por për të dalë në një version mbi ngjarjet e filmit duhet më parë që të merret perceptimi i publikut, pasi filmi të shfaqet në ekran. Filmi “Balkan Pazar” i regjisorit Edmond Budina është një bashkëprodhim italo-shqiptar me producentë Sabina Kodra dhe Robert Budina, i realizuar nga shtëpia filmike Era Film. Një kastë aktorësh që vijnë nga vende të ndryshme të botës janë zgjedhur nga regjisori Budina, i cili është dhe aktor në filmin e tij. Ai luan një prej personazheve kryesorë të filmit; priftin e Kosinës që ka vendosur të bëjë biznes duke shitur eshtrat në varrezat e fshatit. Ai ka përzgjedhur për filmin e tij aktorë nga Shqipëria, vendet përreth si Greqia dhe Maqedonia, por ka kërkuar edhe më tutje në Francë dhe Itali. “Është një film tragjikomik, që në fakt nuk ka një qëndrim të caktuar përsa i përket mesazhit që përcjell. Kjo i duhet kërkuar publikut pasi të shohë premierën e tij”- është shprehur në një intervistë për MAPO-n regjisori Budina. Filmi shtjellohet përmes dy personazheve femra që vijnë njëra nga Italia e tjera nga Franca. Aktorja italiane Veronica Gentili (në film luan rolin e Orsolas) bashkë me nënën e saj franceze Catherine Wilkening (që luan rolin e Joli-së) nisen në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait të tyre, i cili kishte qenë në fakt një veteran francez i varrosur në Itali. Dy gratë gabimisht, qëllimisht apo aksidentalisht, përfundojnë në Shqipëri në vorbullën e pazareve ballkanase ku në shkëmbim të parave mund të blesh edhe eshtrat e të parëve të tu. Filmi i regjisorit Budina tallet me historitë qesharake që përfshijnë personazhet: gazetarin që luhet nga Visar Vishka (një shqiptar nga Maqedonia që jeton në Londër), priftin, njerëzit e fshatit që kanë nxjerrë në ankand eshtrat e të parëve në shkëmbim të milionave. Kështu nisin dhe shtjellohen ngjarjet që si urë lidhëse kanë pikërisht skandalin e Kosinës edhe pse, sipas Budinës, filmi nuk ka të bëjë në themel me këtë ngjarje, pavarësisht se ideja e filmit është pikërisht skandali i eshtrave në Kosinë të Përmetit. Në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait, nënë dhe bijë gjejnë dhe dashurinë në fshatin e humbur në Jug të Shqipërisë. Krejt naive për atë çka ndodh përreth tyre, vajza bie në dashuri me një shqiptar (gazetarin që po ndjek ngjarjen) dhe nëna me një grek (biznesmeni i eshtrave). Kjo është shtylla tjetër e filmit ku kemi përplasjet e mentalitetit ballkanas me atë europian. Të dyja gratë bien pre e manipulimit ballkanas. Filmi ka shumë veprim dhe ka një ritëm amerikan në mënyrën sesi është trajtuar, ku historia ecën mes shumë surprizave gjatë filmit. Filmi është xhiruar në Gjirokastër e pikërisht në Kishën e vjetër të Labovës, ku vajzat kanë gjetur “strehën” e dashurisë për aventurën e tyre shqiptare. Ndërkohë që në role të tjera luajnë aktorët Karafil Shena dhe Laert Vasili, aktori shqiptar nga Maqedonia Visar Vishka, Nikolla Llambri, Erand Sojli, Valentina Xhezo, Marko Bitrarku etj. “Në fillim titulli i filmit ka qenë “Vallja e flamurëve”, por më pas e ndryshova dhe e bëra “Balkan pazar” dhe kjo për arsyen se më duket më i përshtatshëm për të paraqitur këtë absurditet, për të paraqitur këtë zonë, ku shitet e blihet gjithçka, nga kockat tek idetë, nga pasuritë e deri te historia. Do të thoja që ky fenomen është mbase më i spikatur në Ballkan, ose ne e njohim më mirë këtë realitet, por besoj që kudo ndodh pak a shumë e njëjta gjë, përgjithësisht në vendet ku ka konflikte, po pse jo edhe në vendet e qytetëruara, sigurisht në një formë më të lehtë. Në Ballkan është më i dukshëm, sepse edhe marrëzia është më e madhe. Nuk e di në ç’zonë tjetër do të zhvarroseshin të vdekurit e viteve tetëqind për t’i paraqitur si ushtarë të vrarë më 1940, e të ndërtohej edhe një varrezë monumentale që prej vitesh është bosh”- shpjegon filmin e tij regjisori Edmond Budina.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›