Ngrihet Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare
Instrumentistë e muziktarë të Qendrës Artistike kanë themeluar institucionin më të ri kulturor mbarëkombetar, “Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare”, institucion i cili është regjistruar tashmë edhe në gjykatën e rrethit në Tiranë sipas të gjitha normave të ligjeve në Republikën e Shqipërisë. Anëtarë të saj janë: Desar Sulejmani (Gjermani, Shqipëri), Baki Jashari (Kosovë), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku (Kosovë), Fatos Lumani (Maqedoni), Pjetër Guralumi dhe Bujar Alliu (Shqipëri). Në një konferencë për shtyp themeluesit prezantuan arsyet e themelimit të “Orkestrës Filarmonike Mbarëshqiptare”, e cila do të ketë në themel të punës së saj bashkimin kulturor, artistik dhe shpirtëror të gjithë muzikantëve shqipfolës në të gjithë hapësirën ballkanike apo me vendqendrim në Europë, ShBA, e kudo tjetër që ata ndodhen. Orkestra do të synojë të promovojë vlerat kulturore ndërmjet muzikantëve, instrumentistëve, dirigjentëve dhe kompozitorëve shqiptarë nga të gjitha trojet mbarëshqiptare, promovimin e traditave muzikore, organizimin e takimeve koncertale, kurseve dhe simpoziumeve të ndryshme që do të zhvillohen në kuadër të Qendrës si dhe të bëhet një aktor i rëndësishëm artistik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.