Balla: Akuzat e Berishës për Imamin e Cekën
Në vijim të denoncimit të deklaratave të Berishës dikur në opozitë për bashkëpunëtorët e tij aktualë, deputeti socialist, Taulant Balla u ndal dje tek akuzat e tij kundër Arben Imamit, sot ministër i Mbrojtjes dhe Neritan Cekës, këshilltarit të tij. Sipas Ballës, në vitin 1994, Sali Berisha e akuzon Arben Imamin si gjeneral në shërbim të Sllobodan Millosheviçit. Duke iu referuar krimit të 14 janarit në Shkodër, Sali Berisha akuzon në gazetën ‘Rilindja Demokratike‘ duke u shprehur se: "Z. Imami për të merituar spaletat e Millosheviçit është turp të lyesh duart me gjakun e bashkëkombësve...krimi i Shkodrës është mesazh i sjellë në Shqipëri nga Millosheviçi, nëpërmjet seksionit të tij në PAD e përfaqësuar nga Imami dhe Ceka...krimi i Shkodrës, fill pas vizitës së Imamit në Beograd, na jep të kuptojmë se Millosheviçi nuk ia paska dhuruar akoma spaletat e gradimit z. Imami me shokë".
Ndërsa tre vite më vonë, në vitin 1997, Balla tha se në gazetën ‘Rilindja Demokratike‘ (datë 19 korrik 1997), Sali Berisha e akuzon Arben Imamin se në mars të vitit 1997 ky i fundit "u vesh si ushtarak dhe hipi mbi tank për të marshuar drejt Tiranës, në krah të gjeneralëve të jugut". Njëkohësisht ai kujtoi edhe deklaratat e Berishës për Neritan Cekën. "Neritan Ceka mbetet shërbëtori kokulur i Ramiz Alisë apo limoni i shtrydhur i Fatos Nanos. Për Sali Berishën, Neritan Ceka u kujton shqiptarëve Koci Xoxen e dytë", mësohet të jetë shprehur Berisha sipas gazetës "Rilindja Demokratike".