E Diel, 1 Nëntor 2026

Muhedini: Deklaratat e Dules ishin fyese

Partitë e komunitetit çam vijuan dje reagimet e tyre për ato që i konsiderojnë si deklarata antishqiptare të bëra pak ditë më parë nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Kështu dje kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini tha se deklaratat e Dules kundër çështjes çame, ishin fyese dhe të inskenuara nga qarqet shoviniste antishqiptare. "Fyerjet dhe perifrazimet antishqiptare si të ishte një pasardhës i andartëve të Zervës, janë pjesë e skenarëve që frymëzohen nga qarqe shoviniste që nuk dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kërkojnë rizgjimin e fantazive nacionaliste filogreke në dëm të interesave të fqinjësisë", deklaroi kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini. Sipas Muhedinit, PDI gjithnjë e ka etiketuar Dulen si një politikan informal që gjithnjë e ka menduar veten si pjesë e mazhorancave qeverisëse. "Humbja e tij dhe e koalicionit të majtë duket se e ka tronditur shumë Dulen dhe pasuesit e tij përfitues në kurriz të interesave kombëtare shqiptare", deklaroi Muhedini, partia e të cilit është pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës. Po kështu Muhedini, theksoi faktin se çështja kombëtare dhe ajo çame i shërbejnë integrimit të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›