E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lituania ka pasur burgje sekrete të CIA-s

CIA ka përdorur të paktën dy qendra burgimi të fshehta në Lituani, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është rezultati i dalë nga një hetim lituan. Raporti i Komitetit të Posaçëm të Parlamentit lituan thotë se në vitin 2005 dhe 2006, avionë të CIA-s janë ulur në tokën lituane. Ndërkohë asnjë zyrtar lituan nuk është lejuar që t‘i afrohet këtyre avionëve dhe autoriteteve përkatëse nuk u është dhënë asnjë informacion për ata që ndodheshin në bord. Polonia dhe Rumania kanë pasur në tokën e tyre gjithashtu "burgje sekrete" sipas burimeve të medias. Në Lituani, në këto qendra janë mbajtur të paktën 8 të dyshuar për terrorizëm. Bëhet fjalë për qendra që ndodheshin në periferi të kryeqytetit lituan, Vilnius. Sipas raportit parlamentar godina ka qenë fillimisht një shkollë për kuajt dhe të dyshuarit janë mbajtur aty nga viti 2004 deri në vitin 2005. Në gusht të këtij viti, media amerikane raportoi se ndër vendet që kishte burgje sekrete të CIA-s ishin Lituania, Rumania dhe Polonia. Ndërkaq Raporti i Komitetit Parlamentar të Lituanisë duket se ka hequr përgjegjësinë për një gjë të tillë nga ana e politikanëve vendas. Në të thuhet se as vetë Presidenti nuk ka pasur dijeni për atë që po bënin shërbimet sekrete amerikane. Praktika të tilla dhe rrjeti i burgjeve sekrete që dyshohet se ngriti Amerika në disa vende të botës është një nga aspektet më kontradiktorë të administratës së Bushit. Sipas disa analistëve, Bush e pa këtë metodë si një mundësi për të shmangur problemet ligjore në vend, por si pasojë janë shkaktuar shumë kontradikta dhe probleme mes Uashingtonit dhe aleatëve të tjerë. Shumë qeveri kanë qenë nën presion për të treguar se çfarë dinin në lidhje me këtë problem. Por Presidenti Obama, që në fillim të Presidencës së tij, ka deklaruar se do t‘i mbyllte të gjitha këto qendra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›