Balla: Ambasadat janë kthyer në çerdhe trafiqesh dhe punësimi për të afërmit e qeveritarëve
Deputeti socialist, Taulant Balla, ka akuzuar gjatë seancës së sotme qeverinë se i ka kthyer ambasadat në çerdhe trafiqesh dhe punësimi për të afërmit e qeveritarëve. Balla i është referuar rastit më të fundit, ku makina e ambasadës shqiptare në Pragë përdoret për trafik droge. Për këtë arsye, ai ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Në fjalën e tij përpara Kuvendit, deputeti socialist Taulant Balla denoncoi edhe standartet e munguara të përzgjedhjes dhe caktimin e shumë familjarëve të politikanëve e personave të pakualifikuar në përfaqësi të shumta diplomatike të Shqipërisë nëpër botë.
Fatkeqësisht, është një rast i përsëritur që makina e ambasadës kapet me drogë. Siç tregoi dje përpara të gjithë shqiptarëve televizioni Top-Channel, ambasada jonë në Pragë është vënë në shërbim të trafikut të narkotikëve dhe grupimeve kiminale. As ambasadori dhe as Ministria e Jashtme nuk hodhën poshtë akuzat e drejtëpërdrejta të Drejtorit të Përgjithshëm të Antidrogës Çeke, Jakup Fridrish. Ky nuk është rasti i parë. Disa vjet më parë, një mik i familjes dhe qeverisë së Berishës u kap në Romë si korrier droge. Dy vjet më parë, punonjësi i ambasadës në Stamboll u ndalua përsëri për këto arsye dhe siç përmendi Dade më parë (Arta Dade), ka patur edhe raste të tjera.
Në fjalim të fjalës, Balla shtoi: Ju të gjithë e dini që dhëndri i Jozefinës, e cila nuk është sot e pranishme në rolin e drejtueses së Parlamentit, ka patur një karrierë të shkëlqyer diplomatike. Kur vajza e Topallit ishte me studime në Strasburg, edhe ai punonte në përfaqësi diplomatike në Strasburg. Kur e bija shkoi në Paris, këngëtari Ejli caktohet atashe në ambadën tonë në Paris, në një post që me ligj shkruhet se duhet të ketë më shumë se dhjetë vjet punë. Sot, ai është 26 vjeç, prandaj për të plotësuar kushtet, duhet të kishte nisur punën që 16 vjeç në shërbimin konsullor.
Balla vazhdoi denoncimin e tij: Por, Ministri këtu prezent e di shumë mirë që Ejli nuk është rasti i vetëm. Në ambasadat tonë shërbejnë në detyra të ndryshme personat me mbiema si Gjana, Bogdani, Frangaj apo Çoba, sepse edhe vëllai i Jozefinës, nga emigrant është bërë diplomat. Haxhinasto është përgjegjës dhe duhet të sqarojë këtu publikun. Ai nuk e ka dënuar ngjarjen, prandaj është i përfshirë në të. Haxhinasto duhet të japë dorëheqjen menjëherë.
Haxhinasto: Mos dëgjoni se çfarë thonë mediat
Në replikën e tij, ministri Haxhinasto përgënjeshtroi atë që shqiptarët panë në emisionin Fiks-Fare, duke iu referuar burimeve zyrtare, të cilat nuk kanë konfirmuar asnjë version, as atë të televizionit shqiptar dhe as atë të medias çeke. Ministri i Jashëtm i ftoi deputetët e opozitës që të tregohen të matur dhe të mos spekulojnë. Nuk duhet të manipuloni opinionin publik. Diplomacia nuk funksionon mbi bazën e televizionit. Media është përgënjeshtruar. Nuk ka asnjë pretendim nga Ministria e Jashtme Çeke për çështjen e trafikut të drogës. Mos iu referoni mediave sepse bëni dëm për prestigjin e vendit. Përsa i përket emërimeve, ejani në Ministrinë e Jashtme dhe verifikojini, sepse të gjithë janë sipas normave.