Projekti i ri, të vegjlit e së majtës drejt bashkimit në një parti
Një zhvillim i ri në gjirin politik të së majtës. Partitë e vogla të majta që militojnë në koalicion me PS-në kanë vendosur që të bashkohen në një për të krijuar një zë më të fortë politik dhe për të pasur më shumë ndikim në vendimmarrjen e koalicionit. Kreu i PSV-së, Petro Koçi, njoftoi për një takim mes tij dhe kreut të PSD-së, Skënder Gjinushi e PDS-së Paskal Milo. Në vijim të veprimit politik të së majtës socialiste dhe socialdemokrate janë shtuar takimet mes kryetarëve të PSD,PDS e PSV91. Sot në selinë e PSD u zhvillua një takim mes kryetarëve Gjinushi dhe Koçi. Takimi u përqendrua në projektin politik të disa partive të majta për tu bashkuar në veprimin e tyre elektoral, organizativ e politik. PSD dhe PSV janë të gatshme tashmë për realizimin e këtij projekti, sepse ato gjykojnë se ky bashkim forcon veprimin politik të së majtës dhe rrit shanset e fitores në zgjedhjet e afërta politike. Koalicioni i drejtuar nga PS ka nevojë për aleatë më efektivë në tregun politik dhe bashkimi i PSD,PDS,PSV e partive të tjera të gatshme për tu bashkuar do të sjellë një realitet të ri në strategjinë dhe taktikat politike të së majtës për të fituar zgjedhjet e ardhshme., thotë Petro Koçi.
Disa ditë më parë ka patur edhe një takim tjetër mes Gjinushit, Milos dhe Koçit në kuadër të Reformës Elektorale dhe projektit për bashkim të së majtës. Pritet që në ditët e para të vitit të ri të zhvillohen edhe aktivitetet institucionale për kurorëzimin e këtij projekti të rëndësishëm politik. Partitë e vogla gjithmonë e më shumë ndjejnë se nuk kanë mbështetjen dhe përfaqësimin nga partitë e mëdha të koalicionit kur vjen fjala për çështje të tilla me interes siç është reforma zgjedhore. Kështu po ndodh dhe me partitë aleate të PS-së, të cilat kanë nisur konsultimet me njëra-tjetrën në përpjekje për të ndikuar tek aleatja e madje.