E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha nuk do jetë më kryeministër në zgjedhjet lokale

TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar për News 24 para se të hyjë në sallën e Kuvendit, se opozita do të tentojë edhe një herë të gjejë gjuhën e përbashkët në këtë sallë, me qëllim transparencën e plotë të zgjedhjeve. Sipas Ballës, mandati i tyre është historik dhe ka marrë përsipër detyrën të mos lejojë më përsëritjen e zgjedhjeve të manipuluara në vend.

“Për asnjë moment nuk do të heqim dorëë nga transparenca e zgjedhjeve, kemi një mandat historik për të kryer, duam të garantojmë që në Shqipëri të mos ketë me manipulime në zgjedhje. PS është sot në Kuvend për të kërkuar edhe njëherë transparencën e zgjedhjeve” – u shpreh Balla.

Deputeti socialist, i pyetur nga News 24 se si do të veprojnë në zgjedhjet lokale, është përgjigjur se deri atëherë Berisha nuk do të jetë më kryeministër. Kjo, sipas Ballës sepse ai qeveris me një mandate të vjedhur.

“Deri në zgjedhjet lokale Berisha nuk do të jetë kryeministër, zoti Berisha nuk ka mandat popullor, ka një mandat të vjedhur që nuk lejon ta hetojmë. Pikërisht për ti rikthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek institucionet PS ka filluar një seri protestash në mbarë vendin, sot kemi protestaur nga Lushnja, për tu mbledhur në një protestë të përbashkët në Tiranë, për ti dhënë fund tranzicionit 19 vjecar dhe për ta ndarë Shqipërinë nga mbetja e fundit e komunizmit” – theksoi Balla.

Balla ka theksuar më tej se, “Pres që ky parlament të vërtetojë ligjshmërinë e mandatit të Sali Berishës. Ne kemi prova të qarta manipulimi, në zgjedhje janë përdoruar me mijra numra identiteti fallco, mund të kenë votuar me mijëra emigrantë që nuk kanë qënë fare këtu, fakti që nuk pranoi hetimin e zgjedhjeve na jep të drejtën të besojmë manipulimin” – përfundoi Balla.

Nderkaq pak para fillimit të seancës plenare të së enjtes, deputeti demokrat Aldo Bumci theksoi në një intervistë në News24 se mazhoranca mbështet kërkesat për transprencën e zgjedhjeve , por gjithnjë duke respektuar ligjet e vendit.

“Transparenca nuk mund të kërkohet jashtë kuadrit juridik. Parimi i transprencës ka një kuadër ligjor që tregon se si duhet të zbatohet. Ndryshe nga herët e tjera kur PS e ka besuar Gjykatën Kushtetuese, është e habitshme pse nuk duhet ti besojë për të gjitha. Debati për kutitë është debat ligjor” u shpreh Bumci.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›