E Diel, 1 Nëntor 2026

Sofje, arrestohet për korrupsion ish ministri i Mbrojtjes

SOFJE- Ish-ministri bullgar i Mbrojtjes, Nikolai Tsonev, u arrestua sot, i dyshuar për përpjekje për korruptimin e një gjykatësi, për të ndaluar një hetim që lidhej me të, njoftoi zëvendësprokurori i Sofjes, Roman Vasilev. "Kemi arrestuar tre persona ndër të cilët një ish-ministër", i deklaroi ai radios kombëtare.
Ministria e Brendshme shtoi se Tsonev dhe një ish-funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes janë arrestuar. Ish-funksionari është arrestuar ndërsa i jepte një gjykatësi 20 000 euro nga ana e Tsonevit. Ky i fundit, i arrestuar gjithashtu, pritej t'ia jepte ato një prej kolegëve të tij të ngarkuar me hetimin për ish-ministrin.
Në nëntor, ish-ministri i Mbrojtjes është akuzuar për shpërdorim posti pasi kishte bërë një porosi për pajisje ushtarake, pranë shoqërisë amerikane MIC Industries për 12,9 milionë leva (6,6 milionë euro), të vlerësuara nga prokuroria si shumë të shtrenjta
Qeveria dhe prokuroria kanë filluar muajt e fundit një sërë operacionesh kundër korrupsionit në rangjet e larta të pushtetit dhe përpjekjet e tyre janë vlerësuar në një raport të fundit të Komisionit Evropian. Megjithatë, ky i fundit, ka theksuar se ngadalësia dhe mungesa e efektshmërisë së drejtësisë bullgare nuk janë kapërcyer ende.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›