E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Do i djegim mandatin qeverisë Berisha

Deputeti socialist konfirmon vendosmërinë për të mos hyrë në Kuvend

Partia Socialiste do të zhvillojë sot seancën e saj të jashtëzakonshme ku do t’u tregojë të vërtetën shqiptarëve për përmbytjet në zonën e Shkodrës. Ky është reagimi i kupolës rozë, pas vendimit të konferencës së kryetarëve për të zhvilluar të hënën seancën e jashtëzakonshme për Shkodrën. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se “Zonja Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, për aq kohë sa sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor”.
Balla shprehu vendosmërinë e PS për të mos hyrë në Kuvend deri në hapjen e kutive ndërsa konsideroi se ftesa e Topallit është një diversion i rëndë. “Prandaj zonja Jozefina t'i lërë diversionet me seanca të jashtëzakonshme e me djegie mandatesh të deputetëve socialistë, sepse jo vetëm s'ka ndërmend kush t'ia falë ato mandate Sali Berishës, por me fuqinë e jashtëzakonshme të popullit do të djegim mandatin e këtij Parlamenti e të kësaj qeverie përmes protestave që nuk do të ndalen nëse Saliu dhe zonja Jozefina nuk pranojnë të hetohen kutitë ku mbajnë peng të vërtetën e mandateve të tyre”, tha ai. Sipas Ballës, Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur Buna dhe liqeni filluan të derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shopping në Rue Neuve, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e jashtëzakonshme të rrobave të reja për vitin e ri 2010.
Balla nënvizoi se zonja Jozefina po bën një politikë tallëse me fatkeqësinë e Shkodrës e me Kushtetutën u kujtoj shkodranëve e gjithë shqiptarëve, se deri më datë 13 janar 2010, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, ka harxhuar për udhëtime jashtë vendit, 7 herë më shumë se të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë të marrë të gjithë sëbashku. Deri tani turistja Jozefina Topalli i ka kushtuar buxhetit shqiptar 756.430 euro. “Zonja Jozefina ka shpenzuar 2 herë e gjysmë më shumë sesa kryetarët e parlamenteve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës të marrë së bashku”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›