Regjistrimi mbi baza etnike, jo është kusht për integrimin
Genc Pollo: Brukseli rekomandoi, por vendimi është i yni
Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike nuk do të sjellë asnjë problem për Shqipërinë, edhe sikur numri i minoritarëve të rritet artificialisht. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, i cili bëri propozimin e një regjistrimi të tillë argumenton se sot, “Shqipëria ka garancitë e NATO-s, statusin kandidat në BE-së dhe traktatet dypalëshe”. Në intervistën e tij për gazetën “Shqip”, zoti Pollo sqaron gjithashtu se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është rekomanduar nga Brukseli, porse vendimi është i qeverisë shqiptare, sikundër edhe përgjegjësia për këtë vendim. Por, megjithëse i bindur se vendimi i marrë është i drejtë, ministri i Shtetit thotë se do të kryhet një konsultim gjashtëmujor, përpara se ai të marrë formë të prerë.
Zoti Pollo, keni deklaruar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare disa ju kanë akuzuar menjëherë si antishqiptar? Reagimi juaj?
Për fat të keq nuk është hera e parë dhe druaj se nuk është as e fundit. Por kjo pak rëndësi ka. Më e mira është të fokusohemi në çështjen e regjistrimit të popullsisë.
Pikërisht për këtë çështje Pëllumb Xhufi në këtë gazetë ju akuzon direkt se kështu përmbushni një urdhër të Kryeministrit grek, Micotaqis, të dhënë 18 vjet më parë. Si do t’i përgjigjeni ju?
A mendoni se lipset vërtet t’i gjegjem? Dhe a ju duket e mundur që edhe t’i gjegjem edhe të mbetem serioz. Profesor Xhufi ka një cilësi; nuk e ka për zor në vijim të obsesioneve të veta që ta personalizojë çështjen dhe të fyejë tjetrin dhe në rast se e takon në një konferencë a pritje viktimën verbale të tij e përshëndet dhe i shtrëngon dorën sikur asgjë të mos kishte thënë. Në këtë pikë i ngjason mjaft kolegut të tij, T.Balla. Por do të doja që t’i lëmë me kaq këta dhe të gjithë “patriotët e ditës së diel” që gëlojnë në raste të tilla.
Pra nuk merrni seriozisht asnjë kritikë?
Fola për ata që kritikojnë parti pris për shkak të përkatësisë opozitare apo fiksimit mendor. Por ata që shprehin rezerva për këtë aspekt sensitiv të Regjistrimit të Popullsisë e Banesave (REPOBA) janë edhe personazhe seriozë e të respektuar. Por më duket se jo të gjithë kanë të tërë informacionin e duhur për të dhënë një gjykim më të peshuar mbi temën. është e rëndësishme të dihet që krahas katër besimeve tradicionale, secili nga 3,2 milionë të anketuarit do të ketë mundësi të deklarojë një besim tjetër apo edhe asnjë besim. Madje, në respekt të Kushtetutës ai/ajo mund të mos i përgjigjet fare kësaj pyetjeje, si dhe asaj mbi përkatësinë etnike apo gjuhën amtare. Kjo e drejtë do t’i thuhet paraprakisht nga anketuesi.
Por kritikët thonë se njerëzit mund të manipulohen në shumë mënyra dhe numri i minoritarëve të fryhet artificialisht.
E kuptoj shqetësimin. Por perspektiva historike do të na ndihmonte ta kuptonim edhe më mirë. Në vitin 1930, 5 vjet mbasi kishte konsoliduar pushtetin dhe vetëm 10 vjet pas funksionimit de facto të shtetit shqiptar, Mbreti Zog urdhëroi një regjistrim popullsie që përfshinte edhe etninë e fenë. Në atë kohë të pasigurt midis dy luftërave botërore Shqipëria nuk kishte as garancitë e NATO-s, as statusin kandidat në BE dhe as traktatet dypalëshe, të cilat i ka sot. Argumentet kundër që po dëgjojmë tani me siguri janë paraqitur me alarm edhe atëherë; po në fund të fundit historia i dha të drejtë vendimit politik të atij viti. Veç të dhënave etnike e fetare, ai regjistrim sjell të dhëna shumë të çmuara statistikore për shoqërinë shqiptare asokohe vërtet të panjohur e të paeksploruar. Por të kthehemi në ditët tona. Nëse kjo çka planifikojmë të bëjmë në vitin 2011 do të ishte propozuar për vitet ’90-të, rezervat do të kishin qenë të justifikuara. Shqiptarët e sapodalë nga regjimi komunist ishin tejet të demoralizuar dhe në një vobektësi poshtëruese krahasuar me fqinjët. Sot, në fund të dekadës së parë të shekullit të ri, ne jemi një komb në ngritje dhe një shoqëri me vetëbesim. Kjo pas zhvillimeve historike të këtyre viteve dhe deklarimit zyrtar të institucioneve financiare ndërkombëtare se Shqipëria u ngjit nga kategoria e vendeve me të ardhura të ulëta në atë me të ardhura të mesme.
A e ka kërkuar Brukseli përfshirjen e fesë dhe etnisë në këtë proces regjistrimi?
Po, e ka rekomanduar. Por vendimi është i yni, e tillë edhe përgjegjësia.
Pra kjo është një çështje e mbyllur?
Do të ketë një konsultim gjashtëmujor me të gjitha grupet e interesit dhe në mes të vitit Komisioni Qendror i Regjistrimit do të marrë vendimin përfundimtar.
Ndonjë koment të fundit
Do të doja që debati mbi REPOBA-n të fokusohej edhe tek aspekte të rëndësishme të tij. Tek efekti jashtëzakonisht modernizues për shtetin, te njohuritë e reja social-ekonomike që përftojmë pa të cilat nuk mund të realizohet mirëqeverisja. Ndoshta nuk janë sensitive dhe sensacionale, por janë vërtet të rëndësishme për jetën e gjithsecilit.
#