MASH: Nis mësimi në Profesionalet e Shkodrës
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar të gjithë nxënësit dhe prindërit se në shkollat profesionale të qytetit të Shkodrës, do të nisë procesi mësimor më datë 18 janar 2010.
MASH bën të ditur se konviktet e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës, përkatësisht Shkolla Industriale, Shkolla Pyjore, Shkolla Teknologjike, Shkolla e Veterinarisë dhe Shkolla Artistike, janë në dispozicion të nxënësve konviktorë që studiojnë në këto institucione arsimore.
Ndërkaq nga Drejtoria Arsimore e Shkodrës janë marrë të gjitha masat për vënien në funksion të nxënësve, të të gjitha ambienteve konviktore të këtyre shkollave. Kujdestarët e konvikteve dhe mësuesit kujdestarë kanë njoftuar të gjithë nxënësit konviktorë për hapjen e konvikteve dhe nisjen e mësimit ditën e hënë, më datë 18 janar 2010.
Prej disa ditësh në godinat e konvikteve të shkollave të mesme profesionale të Shkodrës, ishin akomoduar banorë të zonave të përmbytura.
#