Balla: Kukësi nuk ndalet as në Skrapar
Skuadra kuksiane ka tri javë pa humbje dhe kërkon të mos ndalet në transfertën e Skraparit për të qenë pranë kreut
Kukësi i suksesshëm në këto 11 javë të kampionatit gjithmonë e më tepër po forcon pozitat e tij, duke u kuotuar si një kandidat i fortë për superligën dhe jo flakë kashte. Pas fitores me Himarën, ku vendosi dygolëshi i Ivanajt, skuadra veriore është përqendruar te puna për transfertën e Skraparit. Kukësi i ka surprizuar të gjithë, duke mbajtur vendin e 3-të. Drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, në një prononcim enkas për “Sportin shqiptar”, ka theksuar:
“Nuk e vumë për asnjë moment në diskutim fitoren me Himarën, ku dominuam totalisht, madje rezultati mund të ishte më i thellë. Rëndësi ka që morëm 3 pikët dhe jemi në rrugë të mbarë. Kemi 3 fitore radhazi dhe nuk do të ndalemi edhe në javët në vijim. Pavarësisht se kemi ndeshje të vështira, kualitetet e Kukësit kanë treguar se mund të zgjidhin çdo situatë.
Synojmë pikët e plota edhe në fushën e Skraparit, edhe pse e kemi të qartë se nuk do ta kemi aspak të lehtë. Besoj se do të jetë një ndeshje fair-play, nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që ne kemi pasur me kundërshtarin e radhës. Shpresojmë shumë që të na mirëpresin dhe në fushë le të fitojë më i miri.
U bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin në këtë transfertë, jo vetëm se është nga më të vështirat, por sepse nga ajo varet kalimi ynë në kategorinë e më të mirëve. Me mbështetjen e tyre, jam i bindur se Kukësi do të japë më të mirën, – tha drejtori teknik i Kukësit, Sabri Balla.
Mungesat Me përjashtim të mbrojtësit me përvojë, Besmir Berberit, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh, të gjithë futbollistët janë të gatshëm për në Skrapar. Ky fakt e rrit më shumë optimizmin në stafin kuksian për të kërkuar 3 pikët. Kuksianët nuk i janë ndarë kreut të tabelës që në fillim të kampionatit, duke u renditur në vendin e dytë dhe të tretë.
