E Diel, 1 Nëntor 2026

Myftaraj: Gramshi, i mobilizuar për pikë në Roza Haxhiu

Nga Artan Paja

Një ndër futbollistët më të spikatur të Gramshit, Erbi Myftaraj, është shprehur se ekipi i tij po kalon një moment shumë të mirë. Sipas tij, përderisa Gramshi mundi Luftëtarin kryesues, mund të marrë pikë edhe në fushën e Lushnjës. ”Jam i gëzuar për fitoren me kryesuesit e renditjes dhe për të meritë ka gjithë grupi i futbollistëve. Dua ti falënderoj drejtuesit e klubit për besimin e madh që më kanë dhënë dhe i garantoj që do të jap maksimumin në ndeshjet e mbetura.

Kjo javë është shumë e rëndësishme, sepse luajmë transfertën e vështirë të Lushnjës. Të gjithë futbollistët janë të mobilizuar për të luajtur një ndeshje pozitive dhe për të marrë një pikë. Kështu Gramshi do të ecë me hapa të sigurta drejt objektivit,- është shprehur për Sportin shqiptar mesfushori Myftaraj, i duartrokituar nga tifozët gramshiotë për grintën që shfaq në fushë. Ai ka marrë vlerësime edhe nga specialistët e futbollit në Gramsh, të cilët e shohin si një futbollist me të ardhme të sigurt.

Fitorja me Luftëtarin është përshëndetur përzemërsisht nga kryebashkiaku Dritan Bici, i cili ka premtuar se gjatë fazës së dytë, përveç një merkatoje dinjitoze, Gramshit nuk do ti mungojë asgjë. Sipas tij, ekipi i ka të gjitha mundësitë për të qenë në 4-shen e parë. Për fitoren e fundit, donatori Durim Kishta ka akorduar shumën prej 10 mijë lekësh për çdo futbollist dhe për pjesëtarët e stafit teknik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›