E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Kuvendi nuk publikon rendin e ditës



Partia Socialiste i trembet mundësisë që maxhoranca të kalojë për votim ditën e hënë projektligjin e ri për SHISH, pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve të shumta të ndërkombëtarëve. Për këtë arsye, deputeti socialist Taulant Balla akuzoi kryeparlamentaren Topalli se ka penguar administratën e Kuvendit, për të bërë të ditur rendin e ditës të seancës plenare të së hënës. "Prej ditës së djeshme kam kërkuar në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pranë drejtorive përkatëse të Kuvendit, njoftimin se kur dhe çfarë rendi dite do të ketë seanca e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë", deklaroi Balla në një deklaratë për gazetarët. Duke e konsideruar këtë qëndrim, "si një thyerje të ashpër të rregullores së Kuvendit", ai i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të "çlirojë drejtoritë nga presioni, përkundrejt mosdhënies për deputetët dhe për Grupin Parlamentar të PS rendin e ditës, si dhe të bëjë publik këtë rend dite, jo vetëm për deputetët, por edhe për mediat e për publikun e gjerë shqiptar". Në seancën e fundit parlamentare të së enjtes, socialistët kërkuan kohë për t'u njohur dhe shprehur për ligjin e SHISH-it, për të dhënë opinionin e tyre në seancën e së hënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›