E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, pikat e debatit FMN-Qeveri



nertila maho

Përtej të qenit dakord për uljen e nivelit të borxhit, deficitit apo nismave të ndryshme financiare, FMN ka edhe një sërë pikash ku pozicionohet kundër Qeverisë. Raporti i fundit i Fondi për Shqipërinë "Artikulli 4" nxjerr në pah këto "mospajtime" që lidhen me disa nga çështjet më delikate ekonomike të vendit. Kështu së pari është borxhi publik. Si qeveria edhe FMN janë dakord që niveli 60% i borxhit është tepër i lartë dhe se lind nevoja për ta ulur por lidhur me mënyrën se si, palët nuk mendojnë njëlloj. Qeveria përkrah zbatimin e rregullit të uljes së shpenzimeve, praktikë që po e vë në zbatim edhe me ndryshimet e fundit në buxhet, ndërkohë që FMN përkrah rregullin e të ardhurave. Kjo praktikë ndryshe njihet si zgjerimi i bazës së taksave me të cilën Qeveria nuk është aspak dakord. Raporti i FMN-së propozon që Shqipëria të bëjë një rishikim të sistemit të taksave. Pika e dytë ku FMN dhe Qeveria nuk mendojnë njëlloj është ajo që lidhet me deficitin buxhetor. është e vërtetë që Qeveria në një afat të mesëm synon ta çojë atë në nivelin 3 për qind por mënyra e përllogaritjes kritikohet nga Fondi. Ky i fundit lë të kuptohet se baza ku Qeveria llogarit uljen e deficitit është një parashikim mjaft optimist i të ardhurave. Eurobondi nga ana tjetër kthehet në një pikë ku Qeveria dhe Fondi ndajnë opinione jo dhe aq të njëjta. Qeveria shqiptare për asnjë moment nuk ka pranuar se ka hequr dorë nga emetimi i eurobondit të parë shqiptar, histori që nisi në fillim të këtij viti. Ndërsa Fondi fton Qeverinë që të heqë dorë nga kjo nismë për shkak të situatës së pasigurt që ekziston në tregje dhe në rast nevoje të pranojë një program financimi nga FMN. Së katërti amnistia fiskale është një pikë tjetër që për Fondin nuk duhet të zbatohet. Kjo sipas raportit të FMN-së do të "minonte" kulturën e pagesës së taksave. Ndërkohë që autoritetet qeveritare e kanë pranuar që një amnisti fiskale nuk është e pamundur dhe mund të gjejë dritën e zbatimit. Praktikisht komuniteti i biznesit ka këmbëngulur që një amnisti fiskale është e nevojshme. Rimëkëmbja ekonomike është një tjetër pikë ku FMN dhe Qeveria nuk ndajnë të njëjtin mendim dhe kjo lidhet me faktin se sa e shpejtë do të jetë kjo rimëkëmbje. Në kohën që Qeveria e parashikon këtë si të shpejtë dhe të lartë FMN rezervohet me termin "graduale". Pagat dhe pensionet janë një tjetër temë që FMN dhe Qeveria e kanë diskutuar gjatë konsultimeve të vazhdueshme. Edhe pse FMN kërkoi vetëm një indeksim në nivelin e inflacionit Qeveria pak a shumë e zbatoi këtë këshillë por niveli ishte pak më i lartë sesa indeksim. Pavarësisht këtyre kritikave FMN në raportin e fundit për vendin tonë nuk rezervohet të shprehë se Shqipëria përpos vështirësive përballoi me sukses krizën globale si pak vende në Evropë.

FMN kundër Qeverisë

Rimëkëmbja ekonomike
Misioni i FMN së dhe Qeveria ranë dakord që rimëkëmbja nga kriza globale do të ishte në formën e një V-je pra me rënie deri në një pikë dhe pastaj një ngritje. Por këtë rimëkëmbje ekonomike Qeveria e parashikonte të shpejtë dhe të lartë ndërsa FMN e sheh këtë rimëkëmbje më graduale.
Të ardhurat
Misioni i FMN ishte kundër përdorimit të parashikimeve optimiste mbi të ardhurat që janë bazë e strategjisë së autoriteteve. Autoritetet në strategji parashikuan një rritje ambicioze të të ardhurave.
Deficiti buxhetor
Qeveria ka parashikuar ta çojë deficitin buxhetor në 3 për qind në terma afatmesme. Gjithsesi e gjithë kjo bazohet tek parashikimet e të ardhurave që bëhen nga autoritetet që nuk janë të njëjta me projeksionin e stafit.
Rregulli i borxhit
Nga FMN u sugjerua që të aplikohej një rregull që do të ulte borxhin publik deri në 50 për qind deri në fund të mandatit të Qeverisë aktuale në 2013-ën. Dy janë mundësitë e diskutuara. Rregulli i shpenzimeve dhe ai i deficitit. Rregulli i shpenzimeve ecën me të njëjtin opinion të Qeverisë për sa më pak shpenzime qeveritare. Duke i mbajtur ato konstante dhe të limituara. Por kjo ka edhe risqet e veta pavarësisht se është e përkrahur nga Qeveria. Opsioni i dytë është ai i deficitit i cili u përkrah nga FMN dhe ky rregull ka të bëjë me më shumë detyrime për administratën e taksave dhe balancën e plotë fiskale.
Konsolidimi fiskal
Misioni i FMN theksoi angazhimin për konsolidimin fiskal.
Taksat dhe kontributet e shkurtuara më parë duhet të rimerren edhe njëherë parasysh. FMN u shpreh kundër një amnistie taksash (fiskale) të planifikuara pasi kjo do të "minonte" kulturën e pagesës së taksave në të ardhmen. Mund të preken rregullime domethënëse shpenzimesh në 2010. Duhet të racionalizohen nivelet e shërbimit të punësimit ndërkohë që pagat dhe pensionet duhet të mbahen nën kontroll. Kjo do të ndihmohej vetëm duke indeksuar inflacionin. Sa i përket autoriteteve ato kanë deklaruar herë pas here që nuk do të kthehen në politikën e rritjes së taksave.
Eurobondi
Autoritetet janë të interesuara për një eurobond që do të lehtësonte ngarkesën e lartë të financimit të brendshëm afatshkurtër por situata në tregjet ndërkombëtare mund të ketë ndikim në çmimin e këtij eurobondi. Misioni i FMN propozoi ndihmë përmes një programi të financuar prej saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›