E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kreu i Shërbimit me mandat, por amendimi i ligjit të konsultohet



Zv.kryeministri Ilir Meta tha dje se kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror duhet të ketë mandat të përcaktuar. Në një konferencë me gazetarët, ku përshëndeti deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Ashton, për qëndrimin e mbajtur ndaj vendimit të Gjykatës për Kosovën, kreu i diplomacisë shqiptare tha se “është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë, kjo është mëse normale, që të vendoset një afat ligjor”. Por sipas tij “është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor, që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n”. I pyetur nëse do të ketë bashkim votash me Partinë Socialiste, për t’i rrëzuar ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u shpreh se “Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë as me kundërvënie votash me dikë dhe as me bashkim votash me dikë tjetër. Qëndrimi ynë është parimor dhe unë besoj se procesi i konsultimeve me NATO-n do të vijojë në mënyrë konstruktive”. LSI është deklaruar kundër këtij ligji, duke vënë në rrezik maxhorancën e djathtë, e cila pa katër votat e saj dhe tre deputetëve të PD-së që janë shprehur kundër në Komisionin e Sigurisë, nuk ka më shumicën në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›