E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja për SHISH,Topi: Jam për parimet e NATO-s, Berisha: Kreu i Shërbimit me mandat



Adi SHkembi

Presidenti Bamir Topi del në krah të NATO-s dhe kundër maxhorancës në debatin për ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Kreu i shtetit ka folur dje për herë të parë, dy ditë pasi në Partinë Demokratike u tërhoq në momentet e fundit për miratimin e një amendamenti në Parlament që kërkonte shkarkimin e kreut të Shërbimit. I pyetur nga mediat në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij, Fatmir Sejdiu, kreu i shtetit tha se ai do të flasë vetëm me dekret, por shtoi në të njëjtën kohë që ai është në krahun e parimeve të NATO-s. “Sigurisht që jam shumë i kujdesshëm për t’ju thënë edhe njëherë që nuk mund të paragjykoj asnjë lloj vendimi të Kuvendit, sepse Presidenti flet në momentin kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar midis Institucionit të Kuvendit dhe institucionit të Presidentit. Por ajo që mund të them në parim është se unë kam qenë dhe mbetem dhe do të jem gjithmonë luajal i parimeve fondamentale të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që është aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë”, tha kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se “nga ky parim i madh natyrisht që dalin edhe përfundime të mëdha, të rëndësishme”.
Tre opsionet
Pozicioni i djeshëm i Presidentit Topi ishte i pari i tij në këtë debat, pasi në muajin mars kur ligji i SHISH-it u fut për herë të parë në Kuvend, Topi iu shmang pyetjeve të mediave. Në një intervistë televizive në atë periudhë, ai tha se “Presidenti flet me dekret dhe do të ishte gabim që unë të merrja një pozicion paragjykues për cilindo ligj, qoftë dhe për një ligj që po debatohet në strukturat parlamentare, po debatohet në media, ka prononcime. Pozicioni i Presidentit është në funksion të gjykimit që Presidenti i Republikës do i bëjë lidhur me përputhshmërinë e ligjit në momentin kur depozitohet në Presidencë”. Në të njëjtën kohë, Topi shtoi se në momentin që bëhej debati ishin të pranishme të treja opsionet për këtë ligj, dhe që janë dekretimi, hyrja në fuqi me heshtjen e Presidentit, si dhe rrëzimi i tij. “Ju i dini tre opsionet, janë të njohura, janë kushtetuese: një opsion është që kur ligji është në përputhje me parimet kushtetuese miratohet; kur Presidenti është i sigurt që ka mospërputhje kushtetuese, ka opsionin e kthimit; ka edhe një opsion tjetër, atë të heshtjes, i cili presupozon që pas pesëmbëdhjetë ditësh ligji futet në veprim. Sa kohë ky ligj nuk ka kaluar, pra jemi në periudhën e diskutimeve dhe të debateve, natyrisht që unë nuk mund të shprehem. Do të shprehem, e kam detyrim kushtetues ligjor që të shprehem në momentin kur ligji do të vijë këtu, në Presidencë”, u shpreh më tej në muajin mars kreu i shtetit.

“Ligji të mos kalojë”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë sërish thirrje që ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror të mos kalojnë pa u konsultuar me NATO-n. Në një komunikim me mediat nga qyteti i Kukësit, ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uidhërs tha se “Qëndrimi i SHBA-së është ai që është thënë me kohë dhe që është në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane”, tha Uidhërs. Në komunikimin e tij në muajin mars lidhur me këtë çështje ai tha se “është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht”.

SHISH, Majko: Mund të na përjashtojnë nga NATO

Ish-ministri socialist i Mbrojtjes tha dje se çdo ligj për SHISH duhet të kryhet në konsultim të ngushtë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Pandeli Majkon, veprimet aktuale të Qeverisë kanë sjellë sinjale të forta shqetësimi për pasojat që mund të ketë për vendin, në raport me aleancën miratimi i këtij ligji në mënyrë të njëanshme. Ai paralajmëroi sanksione të forta, në rast mos tërheqje nga kjo iniciativë e cila, sipas tij, mund të rrezikojë statusin e Shqipërisë në aleancë. "Opozita në këto momente po kërkon të respektohet marrëveshja e anëtarësimit në NATO, që do të thotë se Shqipëria çështjen e sovranitetit të sigurisë e ka ndarë me NATO-n dhe konsulta me NATO-n për ligjin për SHISH mbetet esenciale dhe e pazëvendësueshme. Mendoj se ka arsye të besueshme që gabimet apo moskorrigjimet, apo moskonsultimet, e anëtarëve të sapofutur të shikohen me një këndvështrim, do të thosha të ashpër nga anëtarësia. E ritheksoj se kemi të bëjmë me një problem jo më teknik, por politik dhe nga ato që di unë mund të diskutohet statusi i anëtarit të NATO-s", u shpreh Majko. Socialistët e kanë kundërshtuar ligjin e maxhorancës për SHISH dhe kanë kërkuar që ai të hartohet në përputhje me vërejtjet e NATO-s dhe SHBA-së. Partia Socialiste do të jetë në Kuvend, për të votuar kundër ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, por kjo nuk do të thotë, sipas kryetarit Edi Rama, se ajo po bashkon votat me LSI-në, e cila gjithashtu praktikisht është deklaruar kundër draftit. Rama është shprehur se ligji i SHISH-it është përgatitur në mënyrën më të keqe të mundshme dhe kundërshtimi i tij me votë në Kuvend i kapërcen vendimet politike të selisë rozë për marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin.

Fatmir Mediu
“Ligji për Shërbimin Informativ është një ligj i rëndësishëm, për vetë ne se ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe duhen përcaktuar qartë të gjithë elementët, funksionet apo raporti për të qenë të përgjegjshëm, si individët, ashtu edhe institucioni. Në këtë drejtim tenton edhe ligji. Por për sa kohë ka shqetësime të ardhura nga strukturat e NATO-s, ne si vend anëtar i NATO-s, duhet të kemi diskutim të plotë me ta, për të tërhequr mendimet e tyre, sepse ky është një shërbim që punon në partneritet”.

Jozefina Topalli
“Diversioni i tij i pistë është i papranueshëm nga Kuvendi. është maxhoranca, që në sajë të reformave ka bërë të mundur, që Shqipëria të jetë në NATO. Kur ai protestonte për hyrjen në NATO, është ky Parlament, që në sajë të reformave ka bërë të mundur, që ne të jemi afër liberalizimit të vizave. është Edi Rama, që në BE ka çuar çdo ditë njerëzit e tij për të punuar kundër vizave. Ne hedhim poshtë me neveri të gjitha diversionet e tij të pista dhe garantoj se ligji do të votohet”.

Berisha: Kreu i SHISH-it, me mandat

ADI SHKEMBI

Maxhoranca është e vendosur në përcaktimin e mandatit të kreut të Shërbimit të Informativ Shtetëror. Por kjo mund të arrihet vetëm duke votuar në Parlament një ndryshim në ligjin e shërbimit, për të cilin votat duket se janë të barabarta mes shumicës dhe opozitës në Parlament. I vendosur në këtë iniciativë u shfaq dje Kryeministri Sali Berisha, i cili në një konferencë për shtyp tha se vendi nuk do të ketë asnjë funksionar të lartë pa mandat. Duke folur pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kreu i ekzekutivit shtoi se mandati është normë demokratike. “Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat. Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e tyre i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme. 4 vjet e kanë mandatin për Kryeministrin, 4 apo 5 vjet e kanë mandatin për Presidentin, dikush me mandat më të shkurtër, dikush me mandat më të gjatë. Por mandatet janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”, u shpreh dje Kryeministri Berisha. Por kreu i maxhorancës nuk e mohoi mundësinë që ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror të votohet të hënën në Parlament, duke shtuar zërat për përpjekjet që po bëhen në kampin e maxhorancës për mbledhjen e votave deri ditën e hënë, kur pritet të zhvillohet edhe seanca e fundit e Parlamentit. I pyetur nëse vendosja e mandatit të kreut të Shërbimit Informativ do të votohet pikërisht ditën e hënë, Kryeministri u shpreh se “po ja ku e ke ndërtesën tjetër ti atje, Parlamentin”. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka pranuar të komentojë faktin se Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar pikërisht amendamentin e deputetit Fatos Hoxha, përmes të cilit vendoset mandati për kreun e Shërbimit. Sipas Berishës, këto janë çështje të Parlamentit. Ndryshimet në ligjin e SHISH e kanë zanafillën në muajin janar, kur Qeveria vendosi të ndryshojë disa nene të këtij ligji. Në atë periudhë, Kryeministri i vlerësoi amendamentet si një praktikë e re pas anëtarësimit të vendit në NATO. “Këto ndryshime synojnë të përshtatin objektivat e punës së shërbimit me kërkesat e kohës, me kërkesat e mëdha që shtrohen para vendit pas anëtarësimit në NATO, por edhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Europian. Në objektin e punës qartësohet më mirë detyra e shërbimit për të ndihmuar, ndonëse i ndihmon agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar, shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personit publik”, tha Kryeministri. Sipas tij, shërbimi përmes një ndryshimi të ri, s’mund të punojë në favor të partive politike. “Një ndryshim tjetër, në ligj përcaktohet qartë se shërbimi nuk mund të ushtrojë asnjë veprim në favor të një partie politike. Pra ligji dhe Kushtetuta janë, por ndërkohë përcaktohet edhe një ligj, nuk mund të ushtrojë veprimtarinë në favor të një partie politike”.

Hoxha: Kreu i SHISH me mandat, NATO s’na ndalon dot

Deputeti i partisë Demokratike, Fatos Hoxha, tha dje se NATO nuk e ndalon dot vendosjen e mandatit të kreut të SHISH-it. Në një intervistë për “Ora News” ai tha se “nuk ka organizëm brenda NATO-s që të na ndalojë ne të vendosim të paktën mandatin, atë që kërkojmë, është brenda standardeve. Nëse mund të përplasemi në nene të caktuara, në paragrafë të caktuara, në ndryshimet e projektligjit, përsa i përket mandatit nuk kemi pse përplasemi. Rassmusen bëri telefonatën e famshme në lidhje me ndryshimet në projektligj në tërësi, ama ai nuk bën telefonatë në lidhje me mandatin”. Duke iu referuar ndryshimeve në ligjin e SHISH-it deputeti demokrat shtoi se “këto ndryshime nuk cenojnë ligjin organik. Zhurma u bë vetëm me dispozitën kalimtare. Në perceptimin tim personal, unë nuk e di se kush ka marrë peng shpirtrat e shumë politikanëve në zhurmat që bëhen në lidhje me emrin e Bahri Shaqirit. Për mua ligji nuk ka asnjë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›