E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i GJND si fenomen natyror

Dritan Karadaku

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli më në fund vendimin e saj (opinionin këshillues), në lidhje me pavarësinë e Kosovës pas kërkesës së paraqitur nga fqinji verior i shqiptarëve, Serbia. Sipas këtij vendimi apo opinioni, nuk ka kundërshti mes ligjeve ndërkombëtare dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës; njëkohësisht në mënyrë implicite ky vendim përpiqet të "zyrtarizojë" edhe shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë (sigurisht për këtë aspekt duhen pyetur serbët e Republika Serbska të Bosnjes, shqiptarët e FYROM dhe ata të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit).
Në këtë kontekst duket se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës para tre vitesh dhe vendimit të GJND, para dy ditësh, shqiptarët kanë shumë arsye për t'u gëzuar. Si fillim duhet thënë se pas njohjes së ekzistencës së shtetit shqiptar të Shqipërisë para gati një shekulli, Europa me njohjen e Shtetit të ri të Kosovës na "kompensoi" të kaluarën, e ndikuar thelbësisht nga "opinioni këshillues" amerikan. Mëshira për vuajtjet qindra vjeçare konsistoi në një "shtet" të ri shqiptar (multietnik dhe mbi të gjitha formal) për shqiptarët e veriut të Shqipërisë, ata të krahinës së Kosovës.
Por, politikisht ne nuk mund të bëjmë me faj Europën, të njëjtën Europë që sot po na hap dyert e veta. Në një farë mënyrë politikisht, nuk mund t'i vëmë shenjën e fajit as Serbinë apo të gjithë pushtuesve tanë ndër shekuj, pasi edhe pse kjo është ndjesi njerëzore e kuptueshme, nuk përbën megjithatë një qëndrim politik në vetvete, përveç se në rastin kur ky i qëndrim përdoret si mjet në funksion të një qëllimi të caktuar nga i cili presim një sërë rezultatesh.
Nga pikëpamja njerëzore pra, duket se kemi shume arsye për t'u gëzuar pasi njeriu gëzohet për një ngjarje pavarësisht se kush e shkakton atë. Njeriu gëzohet për diellin që lind në mëngjes ashtu siç gëzohet për shiun që freskon ajrin dhe tokën, por gëzimi i këtij lloji nuk varet nga njeriu, por nga natyra dhe tekat e saj. Ndërsa politikisht gëzimi lind kur dalin llogaritë në raport me qëllimet dhe veprimet e entitetit në fjalë, shqiptarëve në këtë rast.
Në fund të fundit nga pikëpamja matematikore, dy është me shume se një, tre apo katër janë akoma më shumë se një, bile pesë apo gjashtë shtete shqiptarë do ishin shumë më shumë se një shtet i vetëm.
Ndryshe nga e kaluara ku në traktatet europiane " dashamirësia " konsistonte në zgjidhjen e dilemës : nëse do duhej të zhdukeshim përfundimisht nga hartat apo nëse duhej të ngelej ndonjë thërrime shqiptare në Ballkan. Fati, apo simpatia e shteteve të fuqishme të Europës, e mbi të gjitha burimet njerëzore dhe financiare të Amerikës, u " rreshtuan " këtë herë qartazi në anën tonë.
Nga kjo pikëpamje duhet thënë se kanë qenë plotësisht të justifikuara emocionet dhe ndjesitë e gëzimit në 1912, në 2008, ashtu si para dy ditësh kur GJND u shpreh në favor të interesave shqiptare.
Në këtë kuptim nuk do duhej të tregoheshim bukëshkalë e të thonim se fati ka qenë gjithnjë kundër nesh, pasi kemi një sërë ngjarjesh në njëqind vitet e fundit që na tregojnë se fati apo simpatia e të tjerëve në plot raste kanë qenë në anën tonë.
Sigurisht në këtë pikë nuk mund të mos vërejmë me siklet se në kuptimin politik akoma nuk ka një NE, akoma nuk ka një përfaqësim të qartë politik të interesave tona. Mbase sepse këtë NE na e kanë përcaktuar gjithnjë të tjerët, mbase sepse të tjerët vazhdojnë t'a përcaktojnë, po mbase fati do jetë edhe më zemërgjerë në të ardhmen.
Por është po aq e mundshme që fati të mos jetë edhe aq zemërgjerë në të ardhmen. Mbase simpatia " ndërkombëtare " apo konteksti gjeopolitik nuk do jetë më kaq i favorshëm për shqiptarët në të ardhmen.
Por kjo gjë fatkeqësisht nuk përbën problem për " ne ", pasi problemin do ta zgjidhim siç kemi bërë shpesh në të kaluarën. Do durojmë burrërisht, derisa fati të rikthehet edhe një herë në anën tonë. Në fund të fundit kemi dëshmuar për mijëvjeçarë me radhë se të paktën instinktivisht, ne u rezistojmë pa problem pushtuesve, nënshtrimit dhe kohërave. Gëzohemi dhe mërzitemi, shpërthejmë dhe tërbohemi, adhurojmë dhe mallkojmë por gjithmonë ashtu, instiktivisht.
Që të mund të gëzoheshim edhe ne për herë të parë mbase në historinë tonë politikisht, do duhej së paku të ishim si veprues aktiv diku aty ku luhen fatet tona. Të kishim edhe ne një rol mbase, në ndeshjen politike, diplomatike e ushtarake, ku arsyet dhe llogaritë bëjnë ligjet që vendosin dhe përcaktojnë qenien tonë politike.
Por kjo është sigurisht e vështirë. Nuk mjafton aspak instikti apo ndjesitë. Nuk mjafton aspak ligjërimi moral mbi të drejtën dhe të padrejtën (na kanë bërë këtë apo atë, apo kemi vujt e kemi heq keq për pesëqind vjet). Pasi ligjësia themelore e politikës na pëlqen apo jo, nuk kalon nga morali, por nga forca dhe aftësitë,- kështu i mësonte Makiaveli evropianët para pesë qind vitesh, ndërkohë që ne i garantonim po kësaj Europe, ashtu instiktivisht, sigurinë dhe identitetin.
Në këtë kuptim mund të themi se gëzojmë si njerëz, gëzojmë instiktivisht, gëzojmë sepse prekemi në thellësi të qenies sonë, por politikisht nuk kemi shumë arsye për të gëzuar sepse nuk jemi ne ata që kushtëzojnë rrjedhën e ngjarjeve politiko-historike (për mirë apo për keq) që pësojmë mbi jetën tonë.
Mund të më bëhet vërejtje në këtë pikë se anashkaloj apo se nuk vlerësoj sa duhet në këtë shkrim modest rolin e luftëtarëve shqiptarë nëpër kohëra, që prej Skënderbeut deri tek UCK. Në fakt nuk i anashkaloj aspak, pasi askush nuk mund t'a bëjë. Askush nuk mund të anashkalojë ato faqe ta historisë që shqiptarët i shkruajtën me gjak. Por, nga ana tjetër, politikisht këto ngjarje nuk lanë mbrapa një Shtet Shqiptar, por pothuaj në të gjitha rastet, ose nënshtrimin ndaj një apo disa fuqive të huaja, ose një variant shteti gjysmak.
Fatkeqësisht fati ynë politik nuk është kushtëzuar e vazhdon të mos kushtëzohet thelbësisht nga ne vetë, apo nga luftërat tona (gjithmonë me mbajt frymën gjallë e asnjëherë ekspansioniste), por nga vullneti dhe forca e të tjerëve sikur të bëhej fjalë për fenomene natyrore, gjë që nuk na lë mundësinë edhe sot e kësaj dite që të flasim për arsye politike për t'u gëzuar, qoftë edhe për një vendim historik si ai i GJND.
Mbase e vetmja vlerë e rëndësishme e "politikës" shqiptare në këtë kuptim ka qenë e ngelet pozicionimi i qartë dhe paekuivok proamerikan këto njëzet vitet e fundit. Por edhe ky qëndrim kushtëzohet më shumë nga zgjedhja amerikane dhe nga fakti se s'mund të ishim kurrë aleatë natyral të Rusisë sesa nga një pozicionim i vetëzgjedhur politik.
Pra duhet thënë se "lufta" për mbrojtjen e interesave shqiptare në Ballkan, akoma nuk kalon prej mendjeve, forcës dhe aftësive të shqiptarëve, por përmes kapriçove të fatit, konteksteve gjeopolitike dhe Uncle Sam.
Vaso Cubrilovici, një nga anti-shqiptarët më të mëdhenj serb (hartuesi i planit famëkeq për shfarosjen e shqiptarëve në vitet '40), kishte të drejtë kur shihte si elementin më të rrezikshëm të rezistencës shqiptare rezistencën biologjike d.m.th, pjellorinë. Pasi është thelbësisht ky "detaj" që mundëson edhe sot e kësaj dite që të flitet e të dëgjohet për shqiptarë. Por politikisht ne nuk ekzistojmë akoma, jo thjesht sepse dy shtetet tona shqiptare vlejnë shumë më pak se një i bashkuar, por sepse edhe pas kaq shekujsh akoma nuk arrijmë të jemi zotër të fatit tonë, pasi jetojmë akoma me iluzionin se e drejta përcaktohet nga "muhabetet mbas darke" morale.
*Doktorant, pedagog në Universitetin
e Tiranës, Departamenti i
Shkencave Politike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›