Balla: Më 30 prill, betejë kundër korrupsionit
Nga premtimi për hapjen e 160.000 vendeve të reja të punës, Kryeministri Sali Berisha ka sjellë vetëm humbjen e mbi 100.000 të tillave në rreth 1 vit qeverisjeje. Konstatimi i formuluar si akuzë ka ardhur nga Partia Socialiste, e cila përmes deputetit Taulant Balla ka denoncuar korrupsionin e qeverisë që për lehtësi kuptimi e ka mesatarizuar sipas ministrave të përfolur. “Vetëm në tre muajt e fundit të 2009, në Shqipërinë e mrekullive ekonomike të Saliut u humbën mbi 70000 vende pune...Rruga e korrupsionit patriotik të Saliut, të Lulit e të Kolit ka kushtuar deri më sot mbi 1 miliard euro, prej të cilave vetëm abuzimi për interes të xhepave të pushtetit shkon në mbi 230 milionë euro...”, u shpreh Balla duke përmendur shifra shumë të mëdha korrupsioni. Por në vëmendje të tij kanë qenë edhe 100 milionë eurot e investuara në TEC e Vlorës, i cili pas ndërtimit rezultoi se prodhon energji me kosto më të lartë se ajo e importit. Borxhi i marrë për këto vepra të mëdha ka rritur barrën për çdo qytetar shqiptar, i cili sipas Ballës shkon në 2000 euro për çdo person.
#