Balla: Në PD vazhdojnë të strehohen protestues të dhunshëm me precedentë penalë

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se Partia Demokratike, edhe pse anëtare e asociuar e PPE, po përfshihet me mbështetësit e vet në akte të rënda dhune kundër institucioneve dhe kundër Policisë.
Duke publikuar deklaratat e deputetit Eno Bozdo, sipas të cilit në selinë e PD-së nuk ka pasur protestues, Balla thotë se pamjet tregojnë të kundërtën.
“Prej mbrëmë në selinë e partisë së Sali Berishës vazhdojnë të strehohen persona me precedentë penalë të mëparshëm, të angazhuar dje dhe ditët e tjera në sulmet dhe aktet e dhunës”, deklaroi Balla.
Po ashtu, kreu i grupit parlamentar socialist publikoi mesazhe të protestuesve në rrjetet sociale ku bëhet thirrje për djegien e shtëpisë së tij.
Balla e lidhi thirrjen me deklaratat e sotme të kreut të PD-së kundër tij.
“Kur ju them unë është Saliu. Doli Saliu me sulmet bajate. Ja dhe porosia tek grupi zjarrit, digjni shtëpinë e kundërshtarëve të Saliut”, u shpreh Balla.
/e.xh/j.p/r.e/